Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shprehu skepticizëm për marrëveshjen e migracionit Itali-Shqipëri në një intervistë për Financial Times botuar këtë të enjte.
Mitsotakis tha se mbetet për t’u parë nëse marrëveshja do të jetë efektive dhe shprehu dyshime për potencialin e saj për t’u përsëritur në nivel evropian.
“Më lejoni të jem i kujdesshëm këtu. Kjo është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian”, tha ai. “Ne gjithashtu duhet të shohim nëse funksionon me të vërtetë.”
“Këta persona përpunohen sipas legjislacionit italian të azilit dhe çfarëdo që të ndodhë me ta, në një mënyrë ose në një tjetër do të kthehen në Itali. Nëse do ta bënim këtë në nivel evropian… ku do të shkonin?” shtoi ai.
Kryeministri grek tha gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të krijojë rrugë ligjore për emigrantët dhe azilkërkuesit.
“Nëse doni të ndërtoni një gardh të madh, ju duhet gjithashtu një derë e madhe,” tha ai.
Mitsotakis do të marrë pjesë në samitin e Këshillit Evropian në Bruksel, ku migrimi pritet të jetë një nga çështjet kryesore në agjendë.
Deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit. Qendrat do të strehojnë vetëm meshkuj jo të mitur ndërsa personat e cënueshëm si gratë, fëmijët, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Familjet nuk do të ndahen.
Marrëveshja 5-vjeçare e nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrat Rama e Meloni është përshëndetur nga disa shtete që ashtu si Italia, përballen me barrë të rëndë refugjatësh.