Projekti pilot për pagesat elektronike është prezantuar ditën e sotme ku i pranishëm ka qenë edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili ka thënë se kjo mënyrë e të blerit ju jep avantazh konsumatorëve edhe bizneseve. Gjithashtu në prezantimin e projektit ka marrë pjesë edhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila ka thënë se pagesat elektronike do të jenë ndihmesë edhe për bizneset.
Ky projekt nga ministria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, ka nisur për ta testuar këtë platformë të re nga fatura e kafes e deri te pagesat utilitare si drita, ujë, gjoba etj, e ku deri në korrik të këtij viti të gjitha bankat do të krijojnë akses për një gamë më të gjerë të pagesave online.
Delina Ibrahimaj: Sot do të fillojë testimi i këtyre pagesave. Janë përzgjedhur 8 kompani, të cilat janë gati për ta testuar. Qëllimi i gjithë projektit është të kuptojmë se çfarë vështirësish mund të kenë individët në përdorimin e këtyre pagesave. Kohët e fundit jemi të gjithë të angazhuar drejt inovacionit. Sot i vetmi transaksion që mund të kryejmë është nëpërmjet kartave që ka një kosto prej 3%, sidomos për bizneset. Kemi dhe si qëllim që të testojmë sistemet që nga Korriku i këtij viti të jenë të gjitha online.
Edi Rama: Konsumatorëve ju jep avantazh. Kjo bën që të mos ketë evazion nga ana e bizneseve për TVSH, plus ka të mirën që s’ka komision, është më e lirë se përdorimi i kartës apo transaksionet që bëhen nëpërmjet bankës.
Delina Ibrahimaj: Për individët nuk do të ketë komision, ndërkohë që për bizneset do të jetë shumë më i ulët, pra nëse sot mesatarisht transksionet e kartave shkojnë nga 2.5 deri në 3% kosto për bizneset, nëpërmjet transaksioneve elektronike, me konkurrencë në rritje, besoj se kjo shifër mund të arrijë tek 0.5%.
Edi Rama: Me planin e ri të BE, besoj brenda këtij viti edhe transferta nga BE në Shqipëri nuk do të kenë koston ekstra që kanë tani dhe janë dhjetëra milionë Euro që kursehen për njerëzit.