Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi ka paraqitur draft-raportin që do i dorëzohet Kuvendit ku analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në raportin e PD-së i sugjerohet Kuvendit hapat që duhet të ndërmarrë për zbatimin e vendimit të kësaj gjykate.
“Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese. Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato” tha Çupi.
Nga ana e saj deputetja socialiste Klotilda Bushka tha se nuk ka nevojë për mendim të arsyetuar nga ana e këshillit, pasi kanë të bëjnë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese
“Biem dakort që kryetares t’i propozohet që projektvendimi të përfshihet në seancën e parë plenare” tha Bushka.