Bota

Kryeministres britanike i kërkohet dorëheqja, por Liz Truss refuzon: Nuk jam dështake!

Kryeministrja britanike, Liz Truss e përshkroi veten si luftëtare, jo dështake kur u përball me një kundërshtim armiqësor e zemërim nga Partia Konservatore, për planin e dështuar ekonomik. Brenda pak orësh nga deklarata sfiduese, qeveria e saj ishte në prag të kolapsit. Një anëtare e lartë e kabinetit u largua nga posti me një sërë kritikash ndaj kryeministres Truss e një votim i Dhomës së Komunave precipitoi në ashpërsi e akuza për bullizëm.

Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman dha dorëheqjen pasi shkeli rregullat duke dërguar një dokument zyrtar nga llogaria personale e emailit. Letrën e dorëheqjes e përdori për të kritikuar kryeministren Truss, duke thënë se kishte shqetësime për drejtimin e kësaj qeverie.

Puna e qeverisë mbështetet tek njerëzit që pranojnë përgjegjësinë për gabimet e tyre. Të pretendosh se nuk kemi bërë gabime, të vazhdosh sikur të gjithë nuk mund të shohin se ne i kemi bërë ato dhe të shpresosh se gjërat do të zgjidhen në mënyrë magjike nuk është politikë serioze.

Braverman është figurë popullore në krahun e djathtë të Partisë Konservatore e kampione e politikave më kufizuese të emigracionit, e cila kandidoi pa sukses për drejtimin e partisë këtë verë, një garë e fituar nga Truss. Si sekretare e Brendshme, ministri përgjegjëse për emigracionin, ligjin dhe rendin, u zëvendësua nga ish-ministri i kabinetit, Grant Shapps. Ai është mbështetës i politikanit Rishi Sunak, ish-shefit të Thesarit i mposhtur nga Truss në raundin e fundit të garës për drejtimin e Partisë Konservatore.

Një natë më parë, kryeministrja Truss u përball me më shumë probleme në Parlament, një votim mbi prodhimin e energjisë nga gazi argjilor, praktikë që Truss dëshiron ta rifillojë pavarësisht kundërshtimit nga shumë konservatorë. Me një shumicë të madhe konservatore në Parlament, një thirrje e opozitës për të ndaluar këtë metodë prodhimi u rrëzua lehtësisht me 326 vota pro e 230 kundër, por disa ligjvënës ishin të zemëruar që drejtuesit e Partisë Konservatore thanë se votimi do të trajtohej si mocion besimi, që do të thotë se qeveria do të rrëzohej nëse lëvizja miratohej.

Pati skena të zemëruara në Dhomën e Komunave gjatë dhe pas votimit, me drejtuesit partiakë të akuzuar për përdorimin e taktikave të padrejta për të fituar vota. Ligjvënësi i Partisë Laburiste Chris Bryant deklaroi se pa anëtarët që keqtrajtoheshin fizikisht e kërcënoheshin. Disa ligjvënës njoftuan se shefja konservatore Wendy Morton, përgjegjëse për disiplinën partiake dhe zëvendësi i saj dhanë dorëheqjen. Por zyra e Truss-it konfirmoi se mbetën në detyrë.

Zyrtarët konservatorë mohuan se pati abuzime, por sipas të dhënave zyrtare vetë Truss nuk arriti të votonte në kaosin e krijuar. Shumë ligjvënës konservatorë ishin të dëshpëruar nga gjendja e partisë së tyre. Zhvillimet dramatike erdhën disa ditë pasi Liz Truss shkarkoi shefin e Thesarit, Kwasi Kwarteng, pasi paketa ekonomike që dyshja paraqiti më 23 shtator, tronditi tregjet financiare e shkaktoi krizë ekonomike dhe politike.

45 miliardë paund (50 miliardë dollarë) të planit të pafinancuar të shkurtimit të taksave shkaktuan trazira në tregjet financiare, duke dëmtuar vlerën e paundit dhe rritur koston e huamarrjes së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të parandaluar përhapjen e krizës në ekonominë e gjerë dhe vënien në rrezik të fondeve të pensioneve.

Të hënën, zëvendësuesi i Kwartengut, shefi i Thesarit, Jeremy Hunt, hoqi pothuajse të gjitha shkurtimet e taksave të propozuara nga kryeministrja Truss, së bashku me politikën kryesore të energjisë dhe premtimin për të mos shkurtuar shpenzimet publike. Ai tha se qeverisë do t’i duhet të kursejë miliarda paund e se ka shumë vendime të vështira për t’u marrë përpara se të përcaktohet një plan fiskal afatmesëm, më 31 tetor.

Duke folur me ligjvënësit për herë të parë që nga propozimi, Truss kërkoi falje dhe pranoi se kishte bërë gabime gjatë gjashtë javëve në detyrë, por këmbënguli se duke ndryshuar kursin ajo mori përgjegjësinë dhe vendimet e duhura, në interes të stabilitetit ekonomik të vendit. Deputetët e opozitës thirrën “Jep dorëheqje!” ndërsa ajo foli në Dhomën e Komunave.

Unë jam një luftëtare dhe jo një dështake. Unë kam vepruar në interesin kombëtar për të siguruar që të kemi stabilitet ekonomik.

Me sondazhet që i japin Partisë Laburiste epërsi të madhe e në rritje, shumë konservatorë besojnë se shpresa e tyre e vetme për të shmangur zgjedhjet e parakohshme është zëvendësimi i kryeministres Truss. Por ajo këmbëngul se nuk do të tërhiqet dhe ligjvënësit janë të ndarë rreth mënyrës si ta largojnë nga posti.

Madje, disa favorizojnë kthimin e Boris Johnson-it, i cili u rrëzua në verë pasi u përfshi në skandale etike.