Bota

Kryediplomatja gjermane Baerbock në Kiev/Mbështetje Ukrainës!

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkoi në Kiev, në mbështetje për Ukrainën, në një vizitë që nuk ishte paralajmëruar për arsye sigurie. Kryediplomatja siguroi mbi mbështetjen e vazhdueshme përballë dimrit të tretë të luftës dhe sulmeve ruse në infrastrukturë. “Gjermania, me shumë partnerë në botë, qëndron e vendosur në krah të Ukrainës”, deklaroi Baerbock.

Për zyrtaren e lartë, kjo është vizita e tetë në Kiev që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj, në vitin 2022. Ndalesa e sotme në kryeqytetin ukrainas i paraprin zgjedhjeve presidenciale amerikane, rezultati i të cilave është kritik për Ukrainën.

Së bashku me partnerët në mbarë botën, Gjermania qëndron fort në anën e Ukrainës. Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale në SHBA garojnë zv.presidentja demokrate, Kamala Harris, e cila ka premtuar vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, si dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump. Vazhdimisht, ai ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë elektrike të Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

Gjermania do të vazhdojë që të ndihmojë në luftën ndaj fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë.

Gjermania, e cila është mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara, dha 170 milion euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

Për një kohë të gjatë, Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t’i japë raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus por kancelari Olaf Scholz ka refuzuar që të plotësojë këtë kërkesë të Kievit, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet.

Po ashtu, Scholz ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një kërkesë e tillë është bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ai iu prezantoi “Planin e Fitores” aleatëve të tij perëndimorë.