Bota

Kryediplomati italian krahason Hamasin me nazistët

Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, e ka krahasuar grupin militant palestinez, Hamas, me nazistët, në një intervistë me gazetën La Stampa të premten.

Militantët e Hamasit “nuk janë ndryshe nga nazistët. Ata janë qyqarë. Një ushtar nuk do t’ia hiqte kokën një bebeje dymuajshe. Raketat po vazhdojnë të shkrepen nga Gaza. Hamasi duhet t’i ndalë sulmet me raketa ndaj Izraelit, përndryshe është e qartë se do të ketë kundërpërgjigje”, tha Tajani për gazetën italiane.

Militantët e Hamasit i thyen barrikadat e forta kufitare dhe u futën nga Gaza në jug të Izraelit të shtunën e kaluar, duke i vrarë mbi 1.300 njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë mbi 260 në një festival të muzikës, si dhe duke i plagosur 3.000 të tjerë.

Izraeli u përgjigj me bombardime të mëdha ajrore mbi Gaza, duke i vrarë mbi 1.400 palestinezë dhe duke i plagosur më shumë se 6.600 të tjerë.

Tajani nënvizoi se Hamasi dhe palestinezët nuk janë të njëjtë.

“Palestina është diçka tjetër. Populli palestinez është viktimë e Hamasit”, tha ministri italian.

Tajani bëri thirrje që “terroristët të izolohen. Ne duhet të tregojmë se ka një popull arab e cila nuk ka asgjë të bëjë me ata”.

Ka pasur raportime shqetësuese rreth metodave të përdorura nga Hamasi për të vrarë njerëz në qytetet kufitare izraelite, përfshirë fëmijë. Por, Ushtria e Izraelit tha të enjten se nuk mund t’i konfirmojë as mohojë këto raportime.

Një ushtar izraelit kishte thënë për transmetuesin e Kfar Aza në jug të Izraelit se “terroristët ua prenë kokat fëmijëve dhe grave”.