Me ftesë të shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor takohen nesër në Nju Jork. Për Radion Evropa e Lirë, takimin e konfirmuan burime të BE-së në Bruksel, duke vënë në dukje se “tashmë është bërë traditë që në javën e shtatorit kur në Nju Jork zhvillohet seanca vjetore e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfaqësuesi i lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, mbledh udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Këto burime nuk dhanë detaje lidhur me nivelin e përfaqësimit të secilit vend, por shprehën bindjen se të gjitha shtetet do të marrin pjesë. Ndërkohë, aty do të diskutohet për situatën globale, e ndryshuar në mënyrë dramatike pas pushtimit rus të Ukrainës, si edhe për gjendjen aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pikërisht lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si një prej arsyeve shtesë që problemet e mbetura në rajonin e Ballkanit duhet të zgjidhen sa më parë, në mënyrë që të parandalohet rritja e tensioneve.
Ka një varg zhvillimesh që pritet të ndodhin në javët dhe muajt në vijim në raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, mes tyre edhe një samit që pritet të zhvillohet në fillim të tetorit në Pragë. Për herë të parë, aty do të diskutohet për krijimin e një Bashkësie Politike Europiane, format ku do të ishin vendet e BE-së e të tjera në Europë, por që nuk janë anëtare formale të Bllokut.
Për Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që të vazhdohet bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Bashkimit Europian, pritet të flitet edhe në një takim trans-atlantik në nivel të ministrave të Jashtëm. Bisedimet me pjesëmarrjen e Borrellit i organizon sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
BE-ja u SHBA-të u zotuan se do të bashkëpunojnë në të ardhmen në përpjekjet e përbashkëta për të ruajtur stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor e për të zgjidhur problemet që kanë mbetur.