Rajoni

Kryediplomati europian Borrell: Albin Kurti nuk e pranoi propozimin tonë për kompromis!

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Unioni. Sipas tij, Kurti insistoi për njohje.

Më herët gjatë kësaj dite, Borrell priti në Bruksel, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, në të parat bisedime të këtij niveli pas më shumë se katër muajsh.

Sot, me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiç kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara në fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë].

Që asnjë arritje nuk u shënua në Bruksel në bisedimet e nivelit të lartë Kosovë-Serbi, kjo u mësua më herët gjatë ditës. Presidenti serb, Aleksander Vuçiç u shpreh se takimi me kryeministrin Albin Kurti përfundoi pa sukses, “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”. “Ne të gjithë kemi propozime, shqiptarët të vetat, ne tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk deshi ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, – u tha Vuçiç gazetarëve.

Kurti e Vuçiç u takuan në Bruksel, për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, në të parin takim që nga koha e rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Paraprakisht, ata zhvilluan takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, kryediplomatin europian, Josep Borrell e të dërguarin e BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në mëngjes, Borrell shkruante: “Sot do të shohim nëse janë gati të marrin përgjegjësi” dhe tani, zyrtari i lartë europian ia faturon Kurtit mungesën e kompromisit mes palëve.