Aktualitet

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj njofton dy vendime të rëndësishme!

Sot në një takim me të rinj që do të bëhen pjesë e internshipit në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri të ditura dy vendime të rëndësishme, duke i konsideruar ato si një mundësi për të përmirësuar skuadrën që drejton qytetin.

Vendimi i parë ka të bëjë me filtrimin e procedurave e mënyrës së funksionimit të organizatës, ndërsa i dyti lidhet me verifikimin e të gjitha procedurave, në mënyrë që ato të jenë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, BE. Janë lidhur marrëveshje me dy kompani britanike e gjermane për transparencë maksimale. Erion Veliaj deklaroi:

Ne kemi marrë disa vendime. Një vendim që morëm këtë javë është lidhja në partneritet me kompaninë më të njohur të mirëqeverisjes në Britaninë e Madhe, në mënyrë që e gjithë Bashkia e Tiranës të kalojë në filtër të gjitha procedurat, mënyrën se si funksionon, si merren vendimet, si kontrollohen ato, mënyra e zbatimit të projekteve, por edhe inspektimin e zbatimit të tyre, për transparencë maksimale. Kompania britanike ka filluar punë që në datën 1 gusht dhe do të prodhojë ndryshime në procedura.

Po ashtu, kreu i bashkisë Veliaj vuri në dukje se “vendimi i dytë është lidhja e një marrëveshjeje me kompaninë më të madhe gjermane të auditimit dhe licencimit të certifikatave ISO.

Certifikata ISO 9000-9002 është ajo që verifikon të gjitha procedurat, që ato të jenë të standardit të Bashkimit Evropian dhe kush institucion e kalon këtë test dhe pajiset me certifikatën ISO, sigurisht që reflekton më shumë besim e siguri, por jep akses ose gjen mundësi të reja, sidomos kur bëhet fjalë për fonde të Bashkimit Evropian apo për procedura të Evropës së Bashkuar.

Sipas tij, organizata bëhet më e mirë kur reflekton dhe hedh hapa për t’u përmirësuar.