Sport

Kryebashkiaku i Madridit i përgjigjet Viniciusit: Nuk jemi vend racist

Kryetari i bashkisë së Madridit, José Luis Martinez-Almeida ka reaguar ndaj deklaratës së Vinicius, sipas të cilit: “Nuk ka Kupë Bote për Spanjën, nëse nuk fitohet lufta ndaj racizimit”.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka incidente raciste në shoqëri dhe se duhet të punojmë shumë për të eliminuar këto incidente raciste. Por është thellësisht e padrejtë ndaj Spanjës dhe, në veçanti, Madridit, të thuhet se jemi një shoqëri raciste”, -deklaroi Kryebashkiaku i Madridit.

Ai i ka kërkuar futbollistit të kërkojë falje, duke shtuar se kur të ketë një incident racist do të ketë mbështetjen e tij, por kjo nuk mund të ndodhë pas një deklarate përgjithësuese.

“Të jesh një futbollist i jashtëzakonshëm nuk do të thotë se nuk mund të bësh gabime dhe këtë herë ai gaboi. Vinicius ka shumicën dërrmuese të shoqërisë spanjolle në krah për të luftuar racizmin, por ne nuk mund ta mbështesim në këtë tip deklarate. Ai e quan praktikisht të gjithë shoqërinë spanjolle dhe në veçanti atë të Madridit raciste, unë nuk mund ta pranoj”, -ka përfunduar  José Luis Martinez-Almeida.