Kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro, i shoqëruar nga avokati i tij, sot në mëngjes u paraqit në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Dy javë më parë, Duro u mor i pandehur nga SPAK-u nën akuzën e “Shpërdorimit të Detyrës”, në lidhje me një licencë të dhënë për ndërtimin e një biznesi karburanti e që sipas akuzave, rezulton i ndërtuar pa leje ndërtimi.
SPAK ka nisur hetimet pas një kallëzimi të bërë nga një subjekt tjetër, duke ngritur dyshime mbi ligjshmërinë e procesit të licencimit të këtij karburanti. Në një reagim zyrtar, Eduard Duro ka deklaruar se sektori i tatim-taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda kuadrit ligjor.
Sektori i tatim-taksave ka dhënë autorizim për shitje karburanti brenda dhe konform ligjit. Shtetasit J.K dhe M.K kanë bërë denoncim se ky dokument nuk duhej dhënë subjektit Genci Petrol. Kam firmosur çdo gjë siç e kërkon ligji dhe nuk bëhet fjalë për shpërdorim detyre, por për përmbushje të detyrës së një kryetari bashkie.
Pas kallëzimit të një subjekti, më 29 tetor, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK mori të pandehur kryebashkiakun Duro. Nga SPAK-u, ai akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me dhënien e licencës së një pike karburanti e që dyshohet se ishte ndërtim pa leje.
Kryebashkiaku 48-vjeçar, i cili ka mbaruar studimet për Marketing në Universitetin e Korçës, ka punuar si inspektor kontrolli në Tatimet e Devollit e si agjent doganor në Kapshticë, deri në momentin që u zgjodh në krye të bashkisë kur kandidoi për PS-në, në zgjedhjet e 30 qershorit të vitit 2019 dhe ky është mandati i dytë i tij. Vetë Eduard Duro ka reaguar dhe ka deklaruar se nuk ka shpërdoruar detyrën e vuri në dukje se ka firmosur sipas ligjit.