Haruki Murakami në ambicien e tij artistike rrotullohet thuajse ngaherë në tema, motive dhe shqetësime të njëjta, ato me qëllime mitike dhe rëndësi historike. “Kronikat e Zogut Kurdisës” mund të jetë fare mirë një nga qasjet e tij më ambicioze, edhe pse jo domosdoshmërisht i suksesshëm. Krahasuar me “Underworld” të Don DeLillo apo “The Moor’s List Sigh” të Salman Rushdie, arritjet e tij janë gjysmake.
“Kronikat e Zogut Kurdisës” edhe pse me disa skena të fuqishme komedie antike e disa të tjera me fuqi të lartë historike, nuk mund të quhet një roman përmbushës shkruan Michiko Kukatani, kritizere e New York Times në një artikull të 1997.
Si të gjithë botimet e mëhershme (e deri diku të mëpasshme) të autorit, ky libër është pak nga të gjitha. Pak histori hetimi, pak Bildungsroman (një roman që hedh dritë në vitet që formuan personazhin kryesor të tij), pak fanta-shkencë – pak përrallë – alla – Lewis Carroll. Edhe tek “Danc Danc Danc” apo “A Wild Sheep Chase” ngjarjet vijnë vërdallë një njeriu të zakonshëm, ndaj të cilit ka zero pritshmëri – ai është heroi i ngjarjes – një hero i cili kridhet nëpër një labirinth ngjarjesh që kthehen shpejt në një makth Kafkesk.
Murakami kërkon tek ky libër të kalojë kufijtë e përmbushjes personale të Heroit të tij, duke u përpjekur të ekzaminojë barrën e fajit në historinë e kombit të tij, në tërësi, e në veçanti mbas daljes nga shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore. Zhurma e kurdisjes se zemberekut të zogut mekanik, e cila vjen në veshin Torut sporadikisht, është metafora e kurdisjes së historisë të së shkuarës dhe ndikimit të saj direkt dhe indirekt në jetën publike dhe private të personazheve të romanit (o të njerzve e popujve në tërësi).
“Kronikat..”është në fakt shtjellimi i një historie të shkurtër të Murakamit botuar në kolanën “Zhdukja e Elefantit” (1993) – “Zogu kurdisës dhe Gruaja e të Martës”. Toru Okada, bën një jetë rutinore në Tokio dhe është aktualisht i papunë. Një ditë në kërkim të maces (Murakami dhe macet e tij :-)) e gjen veten brenda një aventure të çuditshme të pakuptimtë. Mbas maces e rradhës që zhduket është shoqja, Kumiko, një zhdukje që do bëjë Torun të ri-vlerësojë edhe një herë gjendjen e martesës së tyre, ndërsa rroket të kërkojë vendodhjen e saj.
Mes këtyre ngjarjeve ai takon May Kasaharën, një adoleshente e trazuar, e cila e sheh veten përgjegjëse për vdekjen e të dashurit të saj në një aksident me motorr, Malta Kanon, një fallxhore e cila nxjerr përfundime profetike prej humbjes së maces së tij, Kretën, motrën e Maltës e cila pretendon të jetë përdhunuar nga i vëllai i Kumikos, Noburu Wataya, Togerin Mamiya, i cili ka qënë dëshmitar i një rrjepjeje të gjallë të një robi lufte në Mançuri; Nutmeg Asaka, një shëruese misterizoe burri i të cilës është vrarë mizorisht, dhe djali i saj, Cinnamon, një bukurosh i cili nuk flet më prej kur ishte fare i njomë.
Rastësi të çuditshme lidhin fatet e këtyre njerzve. Ndër faqe kuptojmë se babai i Nutmeg, një veteriner në Manchuri, ka një njollë të pazakontë në faqen e tij njësoj si Toru. Ky i fundit dhe Kreta kanë një histori të përbashkët prostitucioni. E përbashkëta e të gjithëve është zhurma e zogut kurdisës, një zhurmë ogurzezë e cila thërret një fund të hidhur.
Murakami përdor këto lidhje bizzarre të personazheve për të krijuar tension narrativ, në të njëjtën kohë ngre pyetje të vazhdueshme për lexuesin përmes kthesave të vazhdueshme e të shpeshta të historisë. Cili është roli i vëllait të lig të së shoqes në zhdukjen e saj? A ka lidhje karriera e tij politike me ngjarjet gjakatare të Mançurisë vite më parë? Ç’po ndodh në vilën e izoluar ballë ballkonit të Torut.
Sugjerimi i autorit në përfundim të librit është se linjat e realitetit dhe fantazisë janë aq të afërta dhe të korkolepsura sa e bëjnë botën të pakuptueshme sado të përdorim arsyen dhe logjikën. Kjo është fitorja e Murakamit, të arrijë ti përforcojë lexuesit idenë e paqes me veten, sepse të paturit të realitetit në kontroll është një iluzion pasqyrash.
Kjo lloj fitore përkon dhe nuk përkon me pritshmëritë artistike të lexuesit, të cilit mund ti duket kjo një dembelizëm i një autori i cili heziton të ngacmojë përmes rrjeshtave të tij diçka më tepër se pasqyrimin e realitetit. A nuk do duhet arti të bënte ca më shumë se aq?