Bota

Kriza qeveritare në Francë, Macron kërkon këshilla nga Hollande e Sarkozy!

Emmanuel Macron sot do të konsultohet me paraardhësit François Hollande e Nicolas Sarkozy, në një përpjekje për të thyer bllokimin politik të vendit, sipas raportimeve të medias. Një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, presidenti ende nuk ka emëruar një kryeministër. Nuk ka asnjë perspektivë për një shumicë të qëndrueshme qeveritare midis partive politike.

Po ashtu, shefi i Elizesë Macron, planifikon të takohet me ish-kryeministrin socialist, Bernard Cazeneuve, njoftuan “France Info” dhe BFMTV, duke cituar burime të afërta me ish-udhëheqësit.

Cazeneuve drejtoi qeverinë nën administratën e presidentit Hollande nga dhjetori 2016 deri në maj të vitit 2017 e mund të jetë sërish një kandidat për postin, siç kanë spekuluar mediat, por kjo mbetet të shihet.

Zgjedhjet sollën një fitore të papritur për aleancën e krahut të majtë “Nouveau Front Populaire”, përpara forcave centriste të Macronit dhe atyre të ekstremit të djathtë rreth Marine Le Pen-it, e cila ishte parashikuar të fitonte. Por, asnjë nga kampet nuk siguroi një shumicë absolute.

Aleanca e majtë e bëri të qartë pretendimin e saj ndaj qeverisë në disa raste. Macron përjashtoi një qeveri të pastër të aleancës me arsyetimin se ajo do të rrëzohej menjëherë me një votë mosbesimi. Pavarësisht disa raundeve konsultimesh midis Macron-it e palëve, mbetet e paqartë si mund të formohet një qeveri e qëndrueshme në Francë. Koalicionet janë të pazakonta në vend, gjë që e bën të vështirë formimin e qeverisë.

Në korrik, Franca shmangu një qeveri të ekstremit të djathtë e në një kthesë plotësisht befasuese, një aleancë e majtë fitoi numrin më të madh të vendeve në parlament në balotazhin që përmbysi të djathtën ekstreme duke i hequr nga duart fitoren e raundit të parë dhe zbriti në vend të tretë pas partisë së presidentit Macron. Zgjedhjet parlamentare e shmangën të djathtën ekstreme, por e kanë futur Francën në paqartësi politike: asnjë prej forcave, nuk ka shumicën absolute, çka bllokon parlamentin.

Fronti i Ri Popullor i krahut të majtë fitoi 182 vende, ndërsa partia e presidentit Emmanuel Macron, 163 dhe u duk se do të jetë shigjeta që balanconte peshoren. Balotazhi me pjesëmarrje rekord, stopoi ekstremin e djathtë, që mori epërsi drejtuese në raundin e parë e ra në vendin e tretë për shkak të votimit taktik, duke siguruar vetëm 143 deputetë.

Në pamundësi për të thirrur zgjedhje të reja për të paktën një vit dhe me tre vjet të mbetur nga mandati, Macron duket i vendosur të kryesojë me një parlament kaotik, ndërsa problemet rriten si brenda, ashtu edhe jashtë Francës.