Bota

Kriza në Britani, sot kryeministrja Truss prezanton planin e mbështetjes!

Në Britaninë e Madhe, kryeministrja e re Liz Truss, sot paraqet planin e ri të mbështetjes në vlerë 150 miliardë paund, për të ngrirë faturat e energjisë elektrike. Siç shkruan BBC, “ekspertët dhe organizatat bamirëse kanë paralajmëruar se  faturat e larta të energjisë do të rrezikojnë jetën e britanikëve këtë dimër, pasi ata po luftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës së përditshme”.

Siç dihet, shtrenjtimi i faturave të konsumatorëve vjen pas rritjes së madhe të çmimit të gazit me shumicë, për shkak të konfliktit të Rusisë në Ukrainë e që ka reduktuar furnizimet me gazin rus. Shefja e re e qeverisë së Londrës tha se “familjet dhe bizneset janë të shqetësuara për mënyrën si do t’ia dalin mbanë këtë vjeshtë e dimër në Britani”.

Lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë po bën që çmimet globale të rriten dhe kjo vetëm sa e ka bërë të qartë se ne duhet të shtojmë sigurinë e furnizimin afatgjatë të energjisë.

Ndërkohë, mes një parashikimi të dobët ekonomik dhe rritjes së dollarit, paundi britanik ra në nivelin më të ulët ndaj dollarit amerikan, që nga viti 1985. Rënia është në 1,14 dollarë, pra niveli më i ulët në 37 vjet.

Nga fillimi i këtij viti, paundi ka humbur më shumë se 15 për qind të vlerës kundrejt dollarit, pasi Britania e Madhe po përballet me rritjen e inflacionit e faturat e larta të energjisë. Pasiguria politike u përmirësua pasi më 5 shtator, Liz Truss fitoi garën në Partinë Konservatore dhe u bë kryeministrja e re e vendit, duke zëvendësuar të dorëhequrin Boris Johnson.

Sipas të dhënave më të fundit, inflacioni vjetor i konsumatorit në Britani u rrit në dy shifra, për herë të parë në 40 vjet, duke arritur në 10,1% në muajin korrik. Në gusht, Banka e Anglisë rriti normat e interesit me 50 pikë bazë në 1,75 për qind, çka është edhe rritja më e madhe në 27 vjet.