Kozeta Kurti, një nga “pioneret” e para të radiove private në Shqipëri, që në fund të viteve ‘90-të, kthehet në Top Albania Radio pas 17 vjetësh me “Back to the Beginning”. Ky format e nisi rrugëtimin edhe në 2020-ën, fiks në të njëjtën periudhë me pandeminë globale “Covid 19”-të, por me sa duket kjo është koha e duhur.
Jo vetëm Kozeta, por edhe të ftuarit e saj do ta kthejnë kohën pas, si çantë shpine, në fillimet e tyre, midis qindra kujtimesh. “Për të kuptuar ku po shkon, kujto nga erdhe”. E ftuar në këtë episod të “Back to the Beginning” ishte Vasilika Tafa. Ndër të tjera ajo na tregoi se si Dritëro Agolli ndikoi në jetën e saj.
Dritëro Agolli lidhet me jetën time. Kam qenë një vajzë që kam botuar poezi. Me kurajon që të jep mosha, adoleshenca, kur Agolli nxorri një libër “Udhëtoj i menduar”, unë i bëj një kritikë për këtë libër dhe e botoj, kurajon ta jep mosha. Agolli më shkruan një letër personale ku më shkruan, ‘juve mund të mos bëheni kurrë poete, por do të ngeleni një minatore e librit’, ai e ka gjetur. Një botuese është gjithmonë në gjurmim të librit të mirë, të fjalës së bukur. Kjo letër e tij ka ndikur edhe në arsimimin tim.
Lidhur me surprizën e veçantë nga fëmijët, ajo u shpreh:
Andrea Bocelli më ka pëlqyer përherë. Pasi unë bëra përvjetorin tim të 55-të, fëmijët e mi e dinin që unë pëlqeja shumë këngën e tij “Love in Portofino”. Më thotë vajza ke dëshirë ta dëgjosh live Bocelli-n? Në darkë pas ditëlindjes, më vijnë dy fletë të printuara dhe më thonë ti bashkë me babin në 27 korrik do të jeni të Bocelli. Kisha dëgjuar që kishte një amfiteatër të vetin, por kaq, kur i mora ato dy bileta u gëzova shumë, më kanë dhënë një emocion të paparë.