Themeluesi i kompanisë “Amazon”, Jeff Bezos shënoi fitoren e tij të fundit në garën e miliarderëve në hapësirë dhe u sigurua që ta ‘festonte’ në mënyrën më të mirë të mundshme, kur u fotografua me partneren e tij të përfolur, Lauren Sanchez, në publik në rrugët e New York. Bezos, 57 vjeç dhe partnerja e tij 51-vjeçare, dukeshin të pashqetësuar nga njerëzit që kalonin rreth tyre, teksa ndanin një puthje plot dashuri dhe pasion.
Çifti, romanca e të cilëve u zbulua publikisht vetëm disa orë pasi Bezos njoftoi se ai po divorcohej nga gruaja e tij e atëhershme, Mackenzie Scott në janar të vitit 2019, ishin në Texas në fillim të kësaj jave për të parë fluturimin e dytë të suksesshëm të pasagjerëve të “Blue Origin” në hapësirë. Fluturimi hapësinor i së mërkurës shënoi një moment historik jo vetëm për Bezos, por dhe për aktorin e “Star Trek”, William Shatner, 90 vjeç, i cili zyrtarisht u bë personi më i vjetër që ka udhëtuar ndonjëherë në hapësirë kur u bashkua me tre pasagjerët e tjerë në bordin e raketës New Shepard.
Edhe pse shprehja e mimikës së Bezos të premten tregoi se ai është i emocionuar me arritjen e tij të fundit, kërkimi i tij për të fituar garën në hapësirë dhe për të mposhtur rivalët si themeluesi i Tesls-s, Elon Musk dhe manjati i “Virgin”, Richard Branson ka tërhequr zemërim nga kritikët, përfshirë Princin William. Ndërsa diskutonte çështjet aktuale me të cilat përballet klima globale, Duka i Kembrixhit, 39 vjeç, tha:
Ne kemi nevojë për trutë dhe mendjet më të mëdha të botës të vendosur në përpjekjen për të riparuar këtë planet, duke mos u përpjekur për të gjetur vendin tjetër për të shkuar dhe jetuar. Është me të vërtetë thelbësore të përqëndrohesh në këtë planet, sesa të heqësh dorë dhe të nisesh drejt hapësirës për të provuar dhe menduar zgjidhje për të ardhmen.
Sidoqoftë, të premten, dukej sikur reagimi kundër përfshirjes së Bezos në garën hapësinore nuk mund të ishte në mendjen e tij, apo të partneres së tij. Sanchez ishte veshur me një fustan dhe pallto të bardhë gjatë shëtitjes së tyre në qytet. Ajo kishte me vete aksesorë të shtrenjtë, si çanta e markës “Hermes Birkin” që vlen mbi 30,000 dollarë dhe një palë atlete “Alexander McQueen” në vlerë 580 dollarë.
Por aspekti më tërheqës i pamjes së saj ishte unaza e madhe prej diamanti që u pa në gishtin e saj të martesës, një aksesor mahnitës që ajo kishte vendosur në gisht në disa raste në të kaluarën, duke ndezur spekulimet e vazhdueshme se ajo dhe Bezos janë fejuar fshehurazi. Edhe pse ende nuk i kanë komentuar ato thashetheme, ata u siguruan që të gjithë rreth tyre të mund të shohin se sa të dashuruar janë.