Ylli i sagës “Twilight”, aktorja e njohur Kristen Stewart është fejuar me të dashurën e saj Dylan Meyer, pasi kjo e fundit i ka propozuar për martesë. 31-vjeçarja konfirmoi se do të lidhë kurorë me skenaristen ndërsa promovonte filmin e saj të ri “Spencer” në shfaqjen e Howard Stern.
Me rastin e daljes së filmit të ri “Spencer”, në të cilin ajo luan Princeshën Diana, Kristen Stewart foli për “The New Yorker” dhe iu referua rolit të saj ikonik në “Twilight”. Catherine Hardwicke vendosi disa aktorë në shtëpinë e saj në Los Anxhelos për një test kimie me Stewart, e cila tashmë ishte përzgjedhur si Bella Swan. Nga të gjithë burrat që kaluan në audicion, Stewart, referuar Robert Pattinson tha se:
Ishte kaq e qartë se ne përputheshim. Ai kishte një qasje intelektuale që e kombinonte me mua. Ne ishim të rinj dhe budallenj dhe kjo ishte pikërisht ajo që duhej, këtë duhej ta ndjente kushdo që luante këto role.
Stewart ka qenë në një marrëdhënie me aktorin nga viti 2009 deri në 2013. Kristen, e cila tashmë është e fejuar me skenaristen Dylan Meyer, ka folur më parë për presionin e famës në marrëdhënien e saj me Pattinson.
Njerëzit donin që unë dhe Rob të ishim bashkë aq shumë sa lidhja jonë u bë produkt. Nuk ishte më jeta reale dhe kjo ishte e keqe për mua. Nuk është se dua të fsheh kush jam ose të fsheh gjithçka që bëj në jetë. Thjesht nuk dua të jem pjesë e një historie me vlerë argëtimi.
Ndërkohë për sa i përket rolit të saj të Princeshës së Uellsit në filmin e vlerësuar nga kritika, Stewart ka shprehur se gjatë xhirimeve ka ndjerë sikur Diana po përpiqej të depërtonte tek ajo. Në një intervistë për “LA Times” pas shfaqjes së premierës së filmit “Spencer” në Amerikën e Veriut, në Telluride, Stewart tha se kishte përjetuar disa ndjenja drithëruese, shpirtërore duke xhiruar këtë film, i cili zhvillohet gjatë tre ditëve gjatë pushimeve të Krishtlindjeve të vitit 1991, kur Diana po qëndronte në shtëpinë në Sandringham.