Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në kryeqytet ku pas sherrit në banesë humbën jetë dy të rinj, prej të cilëve një shtetase e huaj nga Gana e moshës 31-vjeçare.
E reja e identifikuar si Jawsackie Jaboah është qëlluar me thikë nga 26-vjeçari Klinton Pira në një banesë me qira ditore në katin e tetë të një pallati në rrugën Pjetër Budi në Tiranë.
Gjatë kohës kur kjo e fundit ka zbritur poshtë për të kërkuar ndihmë, Pira është hedhur nga kati i tetë duke gjetur vdekjen.
Ndërsa 31-vjeçarja është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore por nuk ka mundur t’u mbijetojë dot plagëve. Policia bën me dije se tashmë grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë
“Rreth orës 18:00, në bulevardin “Gjergj Fishta” në një banesë me qira ditore, gjatë një konfliktit të çastit, shtetasi me iniciale K. P., 26 vjeç, dyshohet se ka goditur me thikë një shtetase të huaj me iniciale J. J, 31 vjeçe, dhe më pas është hedhur nga lartësia dhe për pasojë ka ndërruar jetë. 31-vjeçarja u dërgua menjëherë në spital, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.