I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin këtë javë ka qenë Emiliano Lule. Ai është drejtori i Institutit të Nxënësve që nuk shikojnë dhe nuk dëgjojnë si dhe Drejtori i nismës së tij më të fundit, që eshtë Biblioteka e parë audiodigjitale në Shqipëri, ku nxënësit që nuk shikojnë do mund të dëgjojnë librat artistikë të interpretuar nga vullnetarë që “dhuruan” zërin e tyre për realizimin e kësaj biblioteke.
Kozeta Kurti e nisi intervistën duke e pyetur se si është të jetosh me të gjitha shqisat që ka çdo qenie njerëzore por në mungesë të njërës të gjitha të tjerat janë shumë më të forta se ato që kemi ne. Ai u përgjigj duke thënë:
Është të jetosh përherë në eksplorim, të kërkosh përherë informacion, të përpiqesh që ndonjëherë me atë informacionin që nuk e ke të bësh një lloj humori. Është të gjesh ndonjë shtyllë tek-tuk ku mund të përplasesh dhe të kujtosh që nuk shikon dhe pastaj të vish prapë në realitet dhe të bësh sërish humor. Por përtej shakasë është natyrisht vështirësi, është natyrisht një lloj forme që kërkon më shumë impenjim dhe energji të shpenzuar për të kuptuar se çfarë është rreth e qark teje. E gjithë kjo energji të kthehet në një lloj forme për të ndihmuar dhe për të qenë më specialist në atë çfarë duhet që ti të bësh diçka të mirë në komunitetin tënd.
Emiliano ka zbuluar se shikimin e ka humbur në moshën 20 vjeçar dhe sa i përket fëmijërisë së tij ai kujton shumë detaje.
Nga fëmijëria ime mbaj mend ato hapat e para kur ti përpiqesh që të ndërtosh kaq shumë gjëra të bukura, të jesh hiperaktiv, të kuptosh që me një biçikletë me të gjitha ngjyrat brenda mund të ecësh pafund dhe mund të mos ndalosh asnjëherë. Në një moment tjetër pastaj kujton që në një fraksion sekondi jeta të kthehet në një mënyrë tjetër të të jetuari. Në një fraksion sekondi mund të përballesh me gjëra që si ke menduar kurrë gjatë fëmijërisë tënde. Nuk e ke menduar që nuk do të mundesh më dot t’i shikosh gjërat por t’i përjetosh nëpërmjet të dëgjuarit dhe gjithë shqisave të tjera që gjithësesi janë larg asaj se çfarë mund të ofrojë shikimi.
Ai zbuloi gjithashtu se ka ëndërruar gjithmonë në fëmijëri që të bëhej pilot.
Duke u rikthyer tek Biblioteka e parë audiodigjitale ne Shqipëri, ku nxënësit që nuk shikojnë do mund të dëgjojnë librat artistikë të interpretuar nga vullnetarë që “dhuruan” zërin e tyre për realizimin e këtij projekti, Emiliano ka zbuluar se si nisi kjo ide.
Më shumë se sa ide ne kthehemi tek nevoja. Ishte një nevojë e cila u kuptua që nuk do të përmbushej asnjëherë nëse nuk do të gjendej një formë që të lexohen sa më shumë audio. Nëse do të uleshe në tavolinë dhe do të flitej për një libër bestseller apo të autorëve të mëdhenj nuk ke mundësinë që ta lexosh aty për aty dhe kur ndihesh i përjashtuar.