Së fundmi shkencëtarët kanë gjetur disa krijesa të çuditshme dhe të pazbuluara më parë në thellësitë e Oqeanit Indian. Shkencëtarët udhëtuan nga bregu veriperëndimor i Australisë, deri në Parkun Detar të Ishujve “Cocos”. Ata krijuan harta tredimensionale të fundit të detit, të paeksploruar më parë, duke hedhur dritë mbi një pjesë të planetit tonë, që deri tani ishte e errët. Tim O’Hara, shkencëtar në Institutin Kërkimor të Muzeut “Vicotira” tha se:
Kemi arritur të marrim të dhëna që nuk kemi qenë në gjendje t’i merrnim më parë, gjëra të pabesueshme. Kemi zbuluar një botë krejt të re “magjike”, me kanione, vullkane e pellgje. Kemi gjetur edhe disa mostra të mëdhenj, për të cilët nuk dimë asgjë. Kemi shumë për të zbuluar. Një ngjalë e verbër, e panjohur më parë, ishte një prej specieve të gjetura, por edhe disa lloje të ndryshme peshqish me forma të çuditshme që nuk ishin zbuluar kurrë më parë.
Rikujtojmë, se qeveria australiane ka shpallur në mars 2022 dy parqe gjigante nënujore në territoret e vendit në Oqeanin Indian, ku pritet të kryhen ekspedita të tjera edhe në muajt në vazhdim. Ekspeditat do të shërbejnë për të siguruar të dhëna që do të ndihmojnë në administrimin e këtyre zonave në të ardhmen. Kreu i divizionit të parqeve australiane, Jason Mundy, tha se:
Udhëtimi është i rëndësishëm për të mësuar më shumë mbi habitatin unik ku këto specie jetojnë, në thellësinë e oqeaneve.