Pas lajmit për rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Júnior, si dhe dy zv.trajnerët Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior, reagoi Armand Duka. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit tha se projekti i nisur me trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, Zabaleta e Doriva, nuk mund të ndalej.
Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime lidhur me vazhdimësinë e tani edhe e kemi konkretizuar me hedhjen e firmës mbi kontratë, deri në dhjetor të vitit 2025. Që në fillim kishim synim kualifikimin në Euro 2024 dhe ia dolëm. Tani e gjithë vëmendja është për të shkuar për herë të parë në Kupën e Botës. Besimi se mund t’ia dalim është prezent e stafi teknik, futbollistët dhe e gjithë Federata do të punojnë për të arritur këtë qëllim.
Më herët gjatë ditës, Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri të ditur se kontrata e re me trajnerin Sylvinho dhe dy asistentët e tij, Zabaleta e Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 e menjëherë pritet të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League, si dhe kualifikueset e Kupës së Botës.
Sfida e parë është UEFA Nations League, me këtë kompeticion që do t’i shërbejë stafit teknik për të përgatitur sa më mirë ekipin për kualifikueset e Botërorit 2026. Pas suksesit të arritur me kualifikimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, tani synimi kryesor do të jetë një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës 2026.
Arritja e marrëveshjes dhe vazhdimi i projektit tregon vizionin e FSHF-së për të rritur sa më shumë nivelin e ekipit Kombëtar me objektivin kryesor për të arritur të tjera suksese historike në të ardhmen.
Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, Kombëtarja Shqiptare e Futbollit, siç edhe dihet, ka treguar progres e një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian, ku tregoi performancë të denjë e bindëse në takimet kualifikuese, si edhe pati përballje të denja me kundërshtarë të nivelit të lartë në kampionatin “Euro 2024” ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës, po ashtu.
Rinovimi i kontratës nënkupton angazhimin e FSHF-së për vazhdimësi dhe stabilitet, ndërsa nis rrugëtimi ambicioz drejt objektivit për një kualifikimin historik në Kupën e Botës 2026.