Aktualitet

Kremtimet e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, delegacion arbëresh në Presidencë/Mesazh unifikimi i shqiptarëve!

Në Presidencë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, sot priti në një takim një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia për kremtimin e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. Për këtë kremtim, kreu i shtetit ftoi drejtues të bashkive dhe komunave ku jetojnë arbëreshët, personalitete të kulturës, sipërmarrës dhe drejtues të shoqatave që kanë luajtur një rol të rëndësishëm për komunitetin arbëresh në Itali.

Hera e parë që një President ndërmerr iniciativën për mbledhjen e arbëreshëve në ceremoninë e nderimit të Besëlidhjes së 2 Marsit 1444, si një mesazh për nevojën e unifikimit mes shqiptarëve përballë sfidave të sotme.

Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj! Ky është institucioni i Presidentit të Republikës dhe ju jeni në shtëpinë tuaj. Është kënaqësi t’ju pres sot në Shqipëri. Jemi vend i vogël po me zemër të madhe. Kemi bujarinë, mikpritjen, vlera të njëjta me atë të Italisë mike e cila u bë shtëpia juaj e re 6 shekuj më parë, ndërsa për shqiptarët e pas viteve ‘90 Italia , është shtëpia e dytë për ta.

580 vite më parë Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe të gjithë përfaqësuesit nga krahinat e ndryshme shqiptare u bashkuan dhe dhanë besën në ditë të vështira për të përballuar sfidat e ndryshme të kohës. Sot është një ditë e veçantë për ta kujtuar atë moment për faktin se sfidat tona të reja përballohen së bashku jo vetëm për ne si bashkëatdhetarë e patriotë por edhe me partnerët tanë.

Po jetojmë kohë të vështira. Sapo dolëm nga një periudhe e pandemisë.

Lufta është duke vazhduar në Ukrainë, situatë jo e këndshme në Lindjen e Mesme dhe kjo kërkon që ne të jemi bashkë për të zgjidhur gjërat.

Mendoj se sot është ditë e veçantë edhe për të falënderuar Italinë mike,  pasi që ju dha mundësinë juve, parardhësve tuaj të mbani gjallë vlerat e shqiptarisë,kulturën, identitetin, gjuhën. Italia mike ka qenë afër Shqipërisë në periudha të vështira të saj. Dhe aktualisht është avokatja më e mirë e Shqipërisë për rrugëtimin e anëtarësimit të saj në BE.

Marrëdhëniet shumë të mira politike janë përkthyer në marrëdhënie shumë të mira ekonomike. Ju falënderoj shumë që jeni pjesë e këtij gëzimi të ditës së sotme!

Në shenjë të kësaj vizite kam përgatitur një dhuratë: një monedhë që përfaqëson Shqipërinë. Nga nga njëra anë është Shqiponja e Skënderbeut, nga ana tjetër ka një shtëpi që gjendet në malet në Veri të Shqipërisë. Me këte duke ju referuar një proverbi të vjetër tonin: “ Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e mikut” ju ftoj edhe një herë të shijoni këtë vizitë e të ndjeheni si në shtëpinë tuaj.