Me shumë liderë botërorë që po urojnë Donald Trump-in për fitoren në zgjedhjet presidenciale amerikane, a do ta bëjë presidenti rus Putin një gjë të tillë? Kështu mund të jetë pyetur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov më herët gjatë ditës, kur deklaroi se për Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vend miqësor, por të përfshira në luftën kundër Rusisë dhe shtoi se “Putin nuk ka plan të urojë Trump-in”.
Kur u pyet nëse gjërat mund të përkeqësohen edhe më shumë në rast se Putin nuk e uron Trump-in, Peskov u shpreh se “duket e pamundur të përkeqësohen më shumë se kaq”.
Marrëdhëniet janë në pikën më të ulët. Çfarë ndodh tani e tutje do të varet nga lidershipi i ri amerikan. Presidenti Putin e ka përsëritur se është i hapur për dialog konstruktiv, të bazuar në drejtësi e barazi, si dhe gatishmëri për t’i pasur parasysh shqetësimet e njëri-tjetrit.
Shtetet e Bashkuara nuk janë të përfshira direkt në luftën e Rusisë në Ukrainë por Amerika është lidere në ofrimin e ndihmës për Kievin teksa mbrohet nga pushtimi rus, i nisur në shkurt të vitit 2022. Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump-i është zotuar disa herë se mund t’i japë fund kësaj lufte, “vetëm me një telefonatë”.
Çfarë do të thotë për Kinën fitorja e Trump-it?
E vështirë të thuhet nëse Pekini ka pasur ndonjë kandidat të preferuar në zgjedhjet amerikane por ideja e të përballurit me një tjetër administratë amerikane, me në krye presidentin e saposhpallur, Donald Trump, mund të jetë sfiduese për liderin kinez, Xi Jinping. Për Kinën, Trump është përfundimisht një “kartë e egër”.
Përgjatë mandatit të parë të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, dy vendet janë përfshirë në luftë tregtare, Trump ka vendosur tarifa në mallrat kineze në vlerë miliarda dollarë, si dhe ka nisur fushatë globale kundër gjigantit teknologjik kinez, Huawei.
Përgjatë fushatës zgjedhore, ai ka kërcënuar me vendosjen e tarifave prej 60% në të gjitha importet prej Kinës e ka folur hapur për dëshirën e nisjes së një tjetër lufte tregtare. Këto nuk përbëjnë lajm të mirë për Pekinin sidomos në periudhën afatshkurtër ndërsa përballet me ngadalësim të ekonomisë.
Ka shumë mundësi që ushtria amerikane të rrisë praninë në Indo-Paqësor e të krijojë “dhimbje koke” të re për Pekinin në Azi.