300 punonjës të administratës publike do të përfitojnë kredi me interes zero për blerjen e banesës. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se ky vendim përbën “hap pozitiv për mbështetjen e profesionistëve të administratës publike” duke iu siguruar mundësinë për të jetuar në kushte më të mira.
Një hap pozitiv për mbështetjen e profesionistëve të administratës publike, nëpërmjet një programi të veçantë që ofron kredi me 0% interes për blerjen e banesave, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së punonjësve, duke u siguruar atyre mundësinë për të jetuar në kushte më të mira dhe më të sigurta, pa u shpenzuar për interesat e kredisë, u shpreh ministri në një postim në rrjetet sociale.
Po ashtu, theksoi se përfituesit do të përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit dhe pritet që në këtë proces, vëmendje të veçantë të kenë arsimtarët, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët, punonjësit e Gardës, veterinerët, artistët, etj.
Këto kuota do të jenë të përvitshme, falë financimit nga buxheti i shtetit, miratuar në mbledhjen e një dite më parë të qeverisë shqiptare. Gonxhja tha se për të përfituar nga ky program shume shpejt do të mundësohet aplikimi online përmes platformës e-albania.al.