Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendimin për mosregjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Indrit Sefa ka kërkuar nga Celibashi që të merren 2 vendime të veçanta për të dyja kërkesat, atë të Alibeajt dhe atë të Berishës, pasi sipas tij janë dy kërkesa të ndryshme dhe ka akuzuar KQZ-në se i ka shkaktuar dëm të madh Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në zgjedhje.
Një ditë më parë Komisioni Ankesave dhe Sanksioneve nuk pranoi të marrë në shqyrtimin ankimimet për regjistrimin e PD së Alibeajt dhe PD së Berishës për lokalet e 14 Majit. Në tryezën e KAS ishin dy ankesa nga juristët e dy grupimeve në PD por KAS, mini gjykata e KQZ, mbërriti në përfundimin se fillimisht duhet të jetë Ilirian Celibashi në marrjen e vendimit për mos regjistrimin e dy PD-ve. Vetëm atëherë kur të ketë një vendim të tillë nis puna e KAS.
“I ushtron disa kompetenca të kryetarit, por kurrsesi që nuk i ushtron të gjitha kompetencat dhe përgjegjësit. Në kushtet kur deklarata nuk është nënshkruar nga kryetari i partisë, apo ai që i ushtron ligjërisht atributet, kërkesa për PD nuk ka bazë ligjore dhe nuk duhet të pranohet. Në përfundim. PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhje, kjo vendimmarrje është në vlerësimin ligjor të fakteve dhe në interpretim të bazuar në ligj. Nuk ka asnjë interes politik apo tjetër veç atij të respektimit nga kushtet”, tha Celibashi.
Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi tha se Partia Demokratike duhet ta kishte zëvendësuar Lulzim Bashën në Gjykatë.
“Ju thatë që Lulzim basha ka dhënë dorëheqjen dhe nuk mund ta firmoste deklaratën. Bie në kontradiktë me veprimet konkrete të bëra nga ana juaj. Sipas jush nënshkrimi i kësaj deklarate nga i autorizuari prej z. Lulzim Basha, Alibeaj është plotësisht në përputhje me ligjin. Mundet që deklarata të nënshkruhet edhe nga nënkryetari i Partisë në disa raste të tjera por duhet që organet e tjera të partisë duhet të dorëzonin në Gjykatë vendimmarrjen që ngarkonin një person tjetër. Organet e tjera drejtuese duhet të depozitonin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin që kryetari i Partisë Demokratike ka dhënë dorëheqjen. Si ligji për partitë, ashtu edhe Kodi Zgjedhor nuk e detyrojnë një parti që të zgjedhin kryetarin e ri por një parti mund të vendosë për një organ tjetër që ta zëvendësojë. Organet e tjera drejtuese të Partisë Demokratike kanë pasur një vit kohë për ta bërë diçka të tillë. Vetëm kështu nënkryetari i PD Alibeaj do të ishte kryetar.
Kryekomisoneri Ilirjan Celibashi ka dhënë argumentet e tij se përse Lulzim Basha duhet të firmosë deklaratën solemne për “mos vjedhjen e votave”.
“Ky autorizim duhet të jetë i plotë në lidhje me tagrat e të autorizuarit, dokumentacioni për regjistrimin e PD, si subjekt zgjedhor, i paraqitur nga ju, ka një mangësi themelore, deklarata solemne duhet të jetë e nënshkruar nga Lulzim Basha dhe jo nga Enkelejd Alibeaj, në bindjen time e bazuar në ligj, deklarata duhet të nënshkruhet vetëm nga kryetari i Partisë, në vlerësimin tim, neni 64, pika 2, germa e, nuk lë vend për interpretim tjetër. Dispozita nuk lë vend për interpretime, përveç faktit që është kush për regjistrimin e partisë si subjekt zgjedhor. Presidenti zgjidhte nga Kuvendi, vendimi i Kuvendit, nuk i jep atij automatikisht për drejtën për të ushtruar detyrën pa bërë betimim, është akt formal, por mos bërja e tij nuk e lejon presidentin që të ushtrojë detyrën, të njëjtën gjë mbart edhe deklarata solemne. Nënshkrimi nga Alibeaj është bërë në bazë të autorizimit që Basha ka bërë në 18 mars 2022, përfaqësuesi i PD keni pretenduar se Alibeaj e ka të drejtën të nënshkruaj edhe deklaratën solemne, ky pretendim i juaji nuk ka bazë ligjore, deklaratat solemne e kryetarit duhet të nënshtrohet vetëm nga kryetari. Është një angazhim personal dhe nuk mund të jetë e transformueshme te të tjerët, karakteristika e deklaratës, tregon qartë se ai dokument është akt ekskluziv vetëm i kryetarit, nuk mund të delegohet. Përgjegjësia vetëm e kryetarit të partisë është e njëjtë me përgjegjësinë e një dëshmitari në një proces gjyqësor, nuk mund të transferohet te të tretët. Nëse deklarata angazhuese do të lejohej të paraqitej dhe nga një tjetër, atëherë ligjvënësi nuk do ishte kujdesur që ta përkufizonte si “solemne”. “Për t’u regjistruar duhet të paraqesë në KQZ deklaratën nga kryetari i partisë”, pra do të ” ishte evituar fjala “solemne”, nëse mund të delegohej si kompetencë”, tha Celibashi.