Aktualitet Politikë

KQZ i kalon Andrea Manos mandatin e deputetit të Salianjit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ u mblodh për t’i dhënë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Demokratike, qarku Korçë, Andrea Nesti Mano. Relatorja e çështjes bëri të ditur se Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar sipas afateve KQZ-në për krijimin e vakancës për vendin e deputetit Ervin Salianji.

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar për vakancën KQZ-në për vendin e deputetit Ervin Salianji i zgjedhur në qarkun e Korçës në zgjedhjet e vitit 15 prill 2021, për subjektin e Partisë Demokratike që ka fituar pesë mandate. Zëvendësimi i vakancës do të bëhet në mbështetje të nenit 164, pika 2 të Kodit Zgjedhor si dhe vendimit nr. 413, datë 23/6/2021, në të cilën është bërë renditja e kandidatëve që nuk kanë fituar mandat sipas votave parapëlqyese. Sipas verifikimit, kandidati që i kalon mandati është ai me numrin rendor gjashtë dhe praktikisht Andrea Nesti Mano.

Sipas KQZ, kandidati Andrea Nesti Mano ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit brenda afateve të përcaktuara ligjore. Pas verifikimeve, është konstatuar se nuk ka ndryshime në gjeneralitete apo dënim me vendim të formës së prerë.

Të dhënat e deklaruara konstatohet se nuk përbëjnë kusht për moszgjedhjen e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, shtoi përfaqësuesja e KQZ-së.

Ndërkohë, Ilirjan Celibashi vendosi që Andra Mano të marrë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë për qarkun Korçë.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit dha vendimin për Salianjin, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”.

Kuvendi i Shqipërisë njoftoi më 2 tetor zyrtarisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, se mandati i deputetit demokrat, Ervin Salianji, ishte përmbyllur në mënyrë të parakohshme, pas dënimit të këtij të fundit me vendim të formës së prerë.

Përmes një shkrese drejtuar KQZ-së, Kuvendi bëri me dije se mandati quhet i përfunduar, pas njoftimit të seancës plenare të mbajtur më 30 shtator.