Rajoni

Kosovë, policia konfirmon shpërthimin në afërsi të Ujmanit!

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se sot ka ndodhur një shpërthim në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, u shpreh për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy autovetura. Por, nuk e ka specifikuar saktë se për çfarë shpërthimi bëhet fjalë.

Elshani vuri në dukje se policia është duke u marrë me rastin. Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar në afërsi të liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.

Rëndësia e Ujmanit për Kosovën

Ky liqen konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi krahas të tjerave, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Përveç tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqen artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km dhe prapë kthehet në Serbi.