Në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviç, dy komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryekomunarët shqiptarë. Në Mitrovicë të Veriut, kjo bëhet në Pallatin e Sportit ndërsa në Leposaviç, në hapësirën para zyrave të komunës.
Organizatorët njoftuan qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.
Mësohet se mesazhe me thirrje për firmosjen e peticionit u janë dërguar të gjithë punonjësve që punojnë sipas sistemit serb, si dhe atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, por që tani paguhen nga buxheti i Serbisë.
Punonjës të institucioneve të ndryshme në Mitrovicën e Veriut pritet që të shkojnë të organizuar për të nënshkruar peticionin e për ata që nuk janë momentalisht, afati zgjatet deri më 21 janar.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan e Zubin Potok. Kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit, Zveçanit e Zubin Potokut janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Firmat për largimin e tyre, tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023. Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20% e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhen të paktën 3 mijë e 640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18 mijë e 199 persona me të drejtë vote.
Në komunën e Leposaviçit, të drejtë vote kanë 13 mijë e 441 persona, që do të thotë se të paktën 2 mijë e 689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Në Zubin Potok, peticionit duhet t’i përgjigjen të paktën 1 mijë e 347 votues, që është niveli 20% nga 6 mijë e 732 votues të regjistruar.
Ndërkaq, që peticioni të jetë i suksesshëm në Zveçan duhet që të nënshkruhet nga të paktën 1 mijë e 411 persona.
Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e kryetarit të komunës, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, një grup qytetarësh ka 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.