Rajoni

Kosovë dënon 4 persona për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviçit!

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Nedelko Spasojeviçin me 4 vjet e 6 muaj burg për pjesëmarrje në një grup kriminal që organizoi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, mbi 6 vjet më parë. Dragisha Markoviç e Zharko Jovanoviç u dënuan me nga 4 vite heqje lirie ndërsa Marko Roshiç me 10. Silvana Arsoviç u lirua nga akuzat. Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Nedelko Spasojeviç, ish-polic, u gjet fajtor për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, si dhe u gjobit me 4.500 euro për armëmbajtje pa leje. Po kështu Marko Roshiç, qytetar i Mitrovicës së Veriut. Por, u gjobit me 10.000 euro. Dragisha Markoviç, ish-polic, u dënua për shpërdorim posti ashtu si ish-polici tjetër Zharko Jovanoviç, të cilit iu shtua dhe armëmbajtja pa leje e gjoba 1.500 euro.

Silvana Arsoviç, sekretare e Ivanoviçit, u shpall e pafajshme për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal. Të dënuarve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim e në arrest shtëpie. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu dha dënimi.

Javën e kaluar, Rade Basara, i cili po ashtu ka qenë polic në kohën kur u vra Ivanoviç, u lirua nga akuzat se ka qenë pjesë e grupit kriminal, që ka ndihmuar dhe organizuar vrasjen. Prokuroria Speciale njoftoi se ndjekja penale e Basarës u ndërpre, për mungesë të provave.

Seancat gjyqësore në rastin e vrasjes së Ivanoviçit shpesh janë shtyrë, për shkak se dëshmitarët nuk  paraqiteshin. Të tjerë, refuzuan të jepnin deklarata, duke thënë se nuk ndiheshin të sigurt.

Prokuroria përfshiu dhe Zhelko Bojiçin, ish-shef i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin verior, Milan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe Zvonko Veselinoviçin, biznesmen nga veriu i Kosovës. Por, kundër tyre nuk është ngritur ndonjë akuzë në Kosovë, për shkak se janë në arrati.

Në aktakuzë, Radoiçiç dhe Veselinoviç përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili ka planifikuar vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç. Pak muaj para vrasjes së Ivanoviçit, Radoiçiç u zgjodh nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit dhe që e mbron.

Në shtator 2023, kur mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, dha dorëheqjen nga posti në parti.