Rajoni

Kosovë, arrestohet një serb për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç!

Policia e Kosovës arrestoi një të dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviç, më 16 qershor.

I dyshuari është i komunitetit serb, i identifikuar me iniciale, U.V.

Autoritetet thanë se arrestimi është kryer sot në mëngjes, në një fshat të Leposaviçit.

Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve më datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ai është personi i tretë që arrestohet për sulmet ndaj gazetarëve, të cilët po raportojnë nga veriu i Kosovës që kur janë rritur tensionet më 26 maj. Tre ditë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se u arrestua Nemanja Vllashkoviç në Leposaviç, për sulmin ndaj gazetarëve të medias Kallxo, më 29 maj.

Po ashtu, Sveçla tha se në pikëkalimin kuftiar në Jarinjë, që lidh Kosovën me Serbinë, po për akuzën e sulmeve ndaj gazetarëve u arrestua dhe Dalibor Spasiç. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehet se që nga nisja e tensioneve në komunat në veriun e banuar me shumicë serbe, janë regjistruar 30 sulme ndaj punonjësve të mediave.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur prej 26 majit kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përplasën me pjesëtarë e KFOR-it në Zveçan. Nga konfrontimet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Situata u përkeqësua më 14 qershor, pas arrestimit të tre policëve kufitarë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “në thellësi të territorit serb”, por Prishtina deklaroi se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviç.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania e Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë. Departamenti amerikan i Shtetit vuri në dukje se “arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza kanë përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.