Rajoni

Kosovë, 7 të arrestuar si të përfshirë në grupin AlbKings!

Autoritetet në Kosovë arrestuan shtatë persona, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve. Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dyshohet se ata administronin grupin, tashmë të mbyllur, AlbKings, në Telegram.

Gjatë një konference për media, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, u shpreh se përveç shtatë personave të arrestuar, hetimet po vazhdojnë dhe ka “gjasa reale të zgjerohen” lidhur me arrestimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Prokuroria Themelore e Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arritur me sukses të gjurmojë, zbulojë dhe t’i arrestojë të gjithë kryesit e veprës penale së vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve. Andaj, falë bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët e Kosovës, kemi arritur që këtë rast delikat, sa i përket identifikimit të kryesve të kësaj vepre penale, t’i arrestojmë brenda afatit të shkurtë kohor. Target të rastit kanë qenë qytetarët e Kosovës, duke ua cenuar rëndë integritetin personal dhe moral të tyre, sa i përket shpërndarjes së fotove, video-incizimeve intime, që janë krijuar pasiguri te qytetarët.

Ndërkaq, prokurorja e çështjes, Erëza Bajrami-Kastrati deklaroi se ky rast është hapur në fillim të vitit 2024, pas publikimit në media për veprimtarinë e këtij grupi, që kishte numër të madh ndjekësish.

Më 16 prill është arrestuar një prej administratorëve të AlbKings, nën dyshimet për veprën penale “vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”. Më 23 prill, është arrestuar një grua e cila po ashtu dyshohet se ishte një prej administratoreve të grupit. Ajo, sikurse personat e tjerë, gjenden në paraburgim.

Prokurorja Bajrami-Kastrati shtoi edhe se më 23 prill, u arrestua edhe administratori kryesor e themeluesi i grupit. Autoritetet zyrtare vunë në dukje se pasi fillimisht e mbyllën grupin më herët gjatë vitit, ai u rihap dy herë të tjera, por tani ky grup në Telegram, sipas Bajrami-Kastratit është mbyllur përfundimisht.

Në këtë grup në Telegram shpërndaheshin fotografi intime të personave të ndryshëm, numra kontakti që kishin, foto-motazhave e video intime.