Rajoni

Kosova shënon 25-vjetorin e Çlirimit/Kuvendi seancë solemne!

Kosova po shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në vend pas fushatës ajrore të NATO-s kundër objektivave ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në X, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton shkroi se ndihet mirënjohës për 25 vjet paqe.

Clinton është vlerësuar lidhur me kontributin e tij në çlirimin e vendit. Në Prishtinë, në sheshin e emëruar për nder të Clintonit, ndodhet edhe një shtatore e tij, ndërsa aty pranë është hapur dhe një dyqan veshjesh me emrin Hillary, për nder të ish-Zonjës së Parë të SHBA-ve, Hillary Clinton.

Clinton luajti rol kyç në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, pasi punoi me aleatët e tjerë të NATO-s për të ndërmarrë veprime ushtarake në mbrojtje të popullit të Kosovës.

Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore, për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë, u shpreh Clinton 25 vjet më parë.

Për nder të Ditës së Çlirimit do të mbahen disa ceremoni në vend, përfshirë një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës. Më vonë gjatë ditës, në sheshin e Prishtinës do të bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës.

Fushata bombarduese e NATO-s që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë tranzitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore e zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50 mijë trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO për të siguruar paqen në Kosovë. Njëherazi ishte dhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veriatlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës lidhur me tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s atje. Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që hynë brenda territorit të Kosovës më 1999-ën ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze, pjesë e forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës. 30 mijë prej tyre ishin të shteteve të NATO-s.