Rajoni

Kosova nuk është në axhendën e Komitetit të Ministrave të KiE-së!

Momentalisht, Kosova nuk është në axhendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, i cili do të mblidhet më 16 maj në Strasburg. Këtë e konfirmojnë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë. Pritshmëritë ishin që në atë takim të votohej për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sipas burimeve diplomatike të disa vendeve të Këshillit të Evropës, janë disa shtete, të cilat preferojnë që më mirë Kosova të mos jetë fare në axhendë, se të marrë një votë negative.

Paraprakisht, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro anëtarësimit të Kosovës. Por, shtete si Franca dhe Gjermania kërkuan kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti e hodhi poshtë këtë kusht, duke thënë se “çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe jo me Këshillin e Evropës”.

I dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se “ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës”.

Që Kosova të bëhet anëtare e organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut, pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare. REL-i po përpiqet të marrë informacione direkt nga Këshilli i Evropës në lidhje me këtë çështje.

Prishtina është nën presion për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi zyrtar, për ta njohur de facto Kosovën. Ditët e fundit, ky asociacion është përmendur edhe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, por kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

Kryeministri Albin Kurti riktheksoi se qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KiE).

Kosova aplikoi në vitin 2022 për t’iu bashkuar Këshillit të Europës dhe muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë. KiE, lidere në Europë për të drejtat e njeriut mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Nga Beogradi ku më 20 prill takoi presidentin serb Aleksander Vuçiç, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet. O’Brien rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë, që të kuptojnë si do të duket jeta e tyre”.