Rajoni

Kosova në axhendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Bullgari!

Asambleja Parlamentare e NATO-s do të mbajë sesionin pranveror nga data 25 deri më 27 maj, në Sofje të Bullgarisë. Pjesë e axhendës edhe Kosova. Gjatë sesionit, 281 anëtarë të Asamblesë Parlamentare nga 32 vende të NATO-s, bashkë me rreth 100 anëtarë nga 25 vende partnere e organe parlamentare do të trajtojnë temat kryesore në axhendën euroatlantike të mbrojtjes dhe sigurisë, duke u fokusuar në mbështetjen për Ukrainën dhe prioritetet për Samitin e NATO-s në korrik, në Uashington.

Takimi në vitin e 75-vjetorit të NATO-s do të jetë sesioni i parë i AP-së së NATO-s ku parlamentarët suedezë marrin pjesë si anëtarë të plotë. Diskutimet do të shtrihen edhe në partneritete. Asambleja Parlamentare e NATO-s pritet të miratojë një reformë të thellë të partneriteteve e të vendosë për kërkesat e Kuvendit të Kosovës dhe të Maltës për t’u bërë delegacione anëtare të asociuara.

Në Ballkanin Perëndimor, sfidat e vazhdueshme do të trajtohen bashkë me strategjitë për të mbështetur partnerët në rrezik e për të rritur angazhimin me Jugun Global. Këto diskutime do të nënvizojnë përkushtimin e Asamblesë për stabilitet në rajonet kyçe me interes strategjik, si dhe për nxitjen e dialogut më të gjerë mbi sfidat globale.

Me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me zyrtarë e të tjerë ekspertë kryesorë, anëtarët e AP-së të NATO-s do të shkëmbejnë e do të shqyrtojnë draft-raportet nga pesë Komitetet e Asamblesë e do të miratojnë rekomandimet kryesore të politikave.

Përveç kësaj, nga përfaqësues të lartë të qeverisë bullgare, anëtarët do të dëgjojnë mbi prioritetet e Bullgarisë e kontributin në NATO, si dhe do të festojnë 20-vjetorin e pranimit të Bullgarisë.

Asambleja do të përsërisë qëndrimin e vendosur për luftën e pajustifikuar, të paprovokuar, brutale të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe mbështetjen e saj të palëkundur për demokracinë, pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, vetëmbrojtjen e vetëvendosjen e Ukrainës, për sa kohë i duhet Ukrainës për të fituar.

Asambleja do të trajtojë edhe zbatimin praktik të planeve të reja të mbrojtjes së NATO-s, pozicionin në zhvillim të NATO-s për mbrojtjen ajrore e raketore, si dhe përmbushjen e detyrimeve të shteteve anëtare në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes e ndarjen e barrës.

Tema të tjera përfshijnë sfidat e Kinës dhe partneritetet ekonomike e të sigurisë në Azi, sigurinë në rajonin e Detit të Zi, sfidat dhe mënyrat si aleatët duhet të rregullojnë e përdorin teknologjitë e reja dhe ato në zhvillim, duke përfshirë inteligjencën artificiale, sigurinë njerëzore, përfshirë mbrojtjen e civilëve dhe trashëgimisë kulturore në konflikt e luftën kundër dezinformimit.