Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shënuar 1-vjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të veriut duke lartësuar “sakrificën e Afrim Bunjakut për të mbrojtur sovranitetin e vendit”.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit duke vrarë rreshterin. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Në Facebook, Osmani shkroi:
Kosova është dhe do të mbetet e pandashme. Liria dhe kufijtë tanë, të paprekshëm. Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm.
Kosova e cilësoi sulmin “terrorist” dhe akuzoi shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Beogradi i ka mohuar akuzat. Pas homazheve te varri i Bunjakut në Vushtrri, Kurti u shpreh:
Serbia është përgjegjëse dhe duhet të japë përgjegjësi. Kosova i kërkon bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur përgjegjës shtetin e saj fqinj.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm. Përgjegjësinë e mori Milan Radojiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi. Në aktakuzë, ai cilësohet “kreu i grupit terrorist”.
Ambasada gjermane në Prishtinë tha se “dështimi për t’i mbajtur përgjegjës autorët e sulmit, pavarësisht pranimit të qartë të fajësisë, minon paqen në rajon dhe dërgon mesazh të rrezikshëm”.
Një vit më parë, gjatë një sulmi të neveritshëm në Banjskë, oficeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radojiçiç, fajtori i dyshuar për këtë krim, edhe pse e ka pranuar përgjegjësinë, ende është i lirë në Serbi.
Besohet se Radojiçiç gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që ndodhen në paraburgim në Kosovë: Vladimir Tolliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.
Më 13 shtator, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.
Për Serbinë, ky sulm nuk është terrorist.