Rajoni

Kosova me 6 raste të dhunës në familje në 24 orë/Gra të dhunuara!

Gjashtë raste të dhunës në familje janë regjistruar vetëm dje në Kosovë. Sipas raportimit zyrtar të policisë atje, këto raste kanë ndodhur në Lipjan, Podujevë, Pejë, si dhe në Rahovec. Në katër prej tyre, gratë kanë denoncuar se përjetuan dhunë fizike e gjithashtu psikologjike prej bashkëshortëve të tyre.

Një rast është regjistruar për dhunë të vëllait ndaj motrës dhe një tjetër për ofendim të gjyshit ndaj mbesës. Të shtunën janë regjistruar katër raste të dhunës në familje.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se vitin e kaluar janë raportuar 2 mijë e 460 raste të dhunës në familje, kryesisht me viktima gratë. Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i tyre është shumë më i lartë se shifra zyrtare.

Ata besojnë se dhuna nuk raportohet si duhet për disa arsye, përfshirë këtu presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe faktin që prindërit nuk i përfshijnë në trashëgimin e pasurive.

Sipas gjetjeve të organizatës ndërkombëtare, Amnesty International, të mbijetuarat e dhunës në familje në Kosovë janë shprehur se nuk kanë parë drejtësi, se shteti nuk është kujdesur për sigurinë e tyre dhe se ato i frikësohen përsëritjes së dhunës.

Konventa e Stambollit për parandalimin dhe luftën e dhunës ndaj grave dhe të asaj që ushtrohet në familje, dokument të cilin e ka nënshkruar dhe Kosova, bën thirrje që veçanërisht burrat dhe djemtë të kontribuojnë në parandalimin e të gjitha formave të dhunës.

Në muajin prill, zyrtarja e Uashingtonit, Katrina Fotovat, zëvendësdrejtoreshë e Zyrës së Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Globale të Grave, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në Shtetet e Bashkuara, autoritetet kanë zbuluar se koha më e mirë për t’i angazhuar burrat në bisedat për dhunën seksuale ose dhunën me bazë gjinore është pasi të bëhen baballarë.

Nga viti 2010 e deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra. Në pjesën më të madhe të rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, si dhe pastaj baballarët e djemtë e viktimave.