Rajoni

Kosova iu ofron mbrojtje të përkohshme 68 afganëve!

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Kosova iu ka ofruar mbrojtje të përkohshme 68 shtetasve afganë. Përmes një postimi në Facebook, ministri theksoi se “akomodimi i tyre është vazhdimësi e angazhimit të qeverisë ndaj krizës në Afganistan, për t’i mbrojtur individët në rrezik nga konfliktet e brendshme”.

Bazuar në vendimin e mbledhjes së 220-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme të disa shtetasve afganë dhe familjarëve të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme ka pritur dhe akomoduar sot 68 prej tyre në kuadër të këtij procesi.

Ky veprim është në vazhdimësi të angazhimit të Qeverisë sonë ndaj krizës në Afganistan, duke ofruar mbrojtje dhe strehim për individët në rrezik nga konfliktet e brendshme. Duke mos harruar faktin që populli ynë para çerek shekulli ka ndjerë nevojën e mbështetjes dhe strehimit dhe i është mundësuar ajo, sot hapim edhe ne dyert për ata e ato që kanë nevojë. Ky proces po vijon me sukses sipas planit operacional dhe në përputhje me legjislacionin dhe standardet ndërkombëtare.

Në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur më 11 shtator 2024 u miratua vendimi për ofrim të mbrojtjes së përkohshme 15 afganëve dhe familjarëve të tyre. Nuk është hera e parë që Kosova strehon afganë në territorin e saj. Në verën e vitit 2021, kur talebanët u rikthyen në pushtet në Afganistan dhe u tërhoqën forcat ndërkombëtare, Kosova pati pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehim të përkohshëm të rreth 1 mijë e 900 afganëve.

Në Kosovë mund të qëndronin deri kur të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA ose në ndonjë vend tjetër perëndimor. Amerika pati arritur marrëveshje të ngjashme edhe me shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë. Fillimisht, lëvizjet i kishin të kufizuara, por më pas u lejua të qarkullojnë në të gjithë territorin.

Afganëve të larguar nga Afganistani iu rrezikohet jeta nga regjimi taleban, për shkak të bashkëpunimit që kanë pasur me forcat perëndimore para vitit 2021. Prej ardhjes së talebanëve në pushtet, qeverinë e të cilëve nuk e njeh asnjë vend në botë, të drejtat e njeriut dhe sidomos ato të grave janë përkeqësuar, siç vlerësojnë organizatat ndërkombëtare.

Grave u ndalohet të dalin në mjedise publike pa një shoqërues burrë, nuk iu lejohet shkollimi pas klasës së gjashtë dhe ushtrimi i një sërë profesioneve.