Kosova bëhet gati për ndeshjen mes kaosit, trajneri: E vështirë, Qipro ka lojtarë të fortë!

Trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Franko Foda, ka folur së fundmi për mediat para ndeshjes së transfertës që “Dardanët” do të luajnë sot në 18:00 kundër Qipros.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e saj të dytë në kuadër të Ligës së Kombeve, me synimin që të lërë anash humbjen e dhimbshme me rezultat 3-0 ndaj Rumanisë në Prishtinë.

Në lidhje me këtë ndeshje, Foda ka thënë se ai dhe stafi tij e kanë analizuar mirë kundërshtarin, duke i cilësuar ata si ekip me lojtarë të fortë. Trajneri nuk ka preferuar të komentojë për përjashtimin e tre futbollistëve.

“I kemi analizuar ndeshjet e Qipros dhe ndeshjen e fundit kundër Lituanisë. Ka lojtarë të fortë, por do të shohim se çfarë do të sjellë ndeshja. Pas humbjes në ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në shtëpi, ne kemi bërë një analizë të asaj përballje, mirëpo tani jemi fokusuar për ndeshjen ndaj Qipros”, u shpreh ndër të tjera trajneri Foda, i cili po bën përpjekje për ta rikthyer skuadrën te fitoret, që i mungojnë që në mars në triumfin minimal kundër Armenisë, e cila ishte ndeshja e parë në stol e Fodës.

Më pas përfaqësuesja e Kosovës është përballur me tri humbje radhazi kundër Hungarisë, Norvegjisë dhe së fundmi Rumanisë në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Kujtojmë se Kosova shkon në këtë sfidë pa tre titullarët Zhegrova, Muriç dhe Muslija të cilët u përjashtuan për thyerje disipline.