Sa i përket numrit të pasagjerëve që kanë hyrë në vendin tonë në muajin korrik, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit u shënua një rekord. Sot në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama shkruan:
Vetëm në muajin korrik, numri i hyrjeve në Shqipëri i kaloi 1 milion dhe hynë më shumë pasagjerë se sa erdhën në të gjithë vitin 2013, duke na dhënë një tregues kuptimplotë të transformimit epokal të Shqipërisë turistike në harkun e një dekade.
Sipas shifrave të publikuara nga shefi i qeverisë, muajin e kaluar hynë në aeroport 1 milion e 191 mijë e 182 pasagjerë ndërsa në korrik të 2023-shit, 834 mijë e 113.
Në janar-korrik kanë hyrë 5 milion e 982 mijë e 66 pasagjerë ndërsa në janar-korrik 2023, 3 milion e 723 mijë e 613. Pra, 7-mujori i parë i vitit shënoi 1 milion e 113 mijë e 908 hyrje më shumë.
Në videon e publikuar nga Rama, turistë nga vende të ndryshme shprehin opinionet dhe mbresat e tyre nga udhëtimi në Shqipëri.
Njerëzit ishin shumë miqësorë, ndihmonin shumë. Udhëtuam nëpër të gjithë vendin me taksi e me autobusë. Ishte fantastike. Ishim në Berat, Gjirokastër, në plazhe në Himarë, Sarandë e po ashtu në Theth, në veri. Ishte i mahnitshëm Syri i Kaltër.
Do të kthehemi sërish e patjetër që do t’u tregojmë edhe njerëzve të tjerë në Holandë. Ju i keni të gjitha. Keni malet dhe ujin.
Një tjetër turist shprehet:
Ishte një eksperiencë magjepsëse. Kisha udhëtuar edhe më parë në Europën Lindore e pak a shumë e dija se çfarë do të gjeja. Por, u befasova nga shumë gjëra. Sa miqësorë janë shqiptarët, sa mikpritës! Eshtë një vend i mrekullueshëm dhe entuziazmues për t’u vizituar.
Pak si shumë nxehtë për anglezët, por nuk ankohem dot, e përballoj. Do të kthehem në Vlorë ku qëndruam dhe patjetër që do të kthehem në Tiranë që ta eksploroj si duhet kur të mos jetë kaq nxehtë.
Një vajzë e re tha se ka qenë në Himarë me pushime.
Ishte mahnitëse. Uji kaq i pastër, ishte edhe më i mirë se në Greqi.
Një tjetër turiste tregoi:
Isha në veri e në jug të Shqipërisë. Kalova 21 ditë duke udhëtuar në të gjithë vendin. Veriu, Lugina e Valbonës, pastaj ngjitja në shtegun Valbonë-Theth ishte e vështirë, por shumë e bukur. Edhe plazhi më pëlqeu shumë.