Bota

Koreja e Veriut tregon sërish “muskujt”, çon 250 raketahedhës në kufi!

Koreja e Veriut ka vendosur 250 raketahedhës balistikë në kufijtë jugorë dhe lideri komunist, Kim Jong Un i ka përshkruar këto armë si “shpatë e fuqishme dhe e çmuar” për të mbrojtur sovranitetin e shtetit të tij. Dje, raketahedhësit u shfaqën gjatë një ceremonie “transferimi” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, siç raportoi sot media shtetërore koreano-veriore.

Raketahedhësit janë armë të përditësuara për sulme taktike.

Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut saktëson numrin e armëve të transferuara në kufi, tha për AFP-në, Han Kwon-hee, nga Shoqata koreane e Studimeve të Industrisë së Mbrojtjes.

Këto lloje raketahedhësish janë të prodhuar të mbajnë katër raketa, theksoi Han, duke shtuar se furnizimi me armë i Phenianit për Moskën mund të ketë ndërhyrë në aftësitë e Veriut që të arrijë të prodhojë 1 mijë raketa.

Raportet mes dy Koreve janë në pikën më të ulët në vitet e fundit, në kohën kur Veriu ka intensifikuar testimin e armëve dhe lëshimin e balonave të mbushura me mbetje drejt Jugut. Koreja e Jugut u kundërpërgjigj duke transmetuar propagandë afër kufirit dhe rinisur stërvitje ushtarake po në afërsi të kufirit.

Gjatë këtij viti, Pheniani e shpalli Seulin “armikun kryesor” ndërsa hoqi dorë nga ribashkimi e kërcënoi me luftë në rast të shkeljes territoriale. Kim e pranoi se armët e reja po prezantohen kur shteti po përballet me dëme nga përmbytjet.

Ai tha se ky është manifestim i vullnetit të fuqishëm të partisë që drejton, për të vazhduar me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.

Shirat goditën Korenë e Veriut në fund të korrikut dhe mediat në Korenë e Jugut thanë se deri në 1.500 persona mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e tyre. Kim ha hedhur poshtë këto raportime për të cilat deklaroi se synojnë të prishin imazhin e Veriut.

Shteti komunist pretendon se nuk ka asnjë viktimë si pasojë e shirave.

Gjatë fjalimit, Kim po ashtu shtoi:

Vendi po përballet me ndryshime të rëndësishme dhe strategjike për shkak të transformimit të aleancës të udhëhequr nga Uashingtoni në një bllok ushtarak me bazë bërthamore. Një gjë e tillë kërkon që shteti i tij të forcojë aftësitë parandaluese. Forca e ushtrisë sonë duhet të vazhdojë të përmirësohet!