Koreja e Veriut pretendon se nëndetësja e saj e re ka aftësi për të kryer sulme bërthamore. Kjo nëndetëse e zhvilluar prej vitesh, sipas liderit Kim Jong Un “është thelbësore” në përpjekjet e tij për të krijuar anije me aftësi bërthamore për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët aziatikë të Amerikës.
Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA, njoftoi se “Hero Kim Kun Ok”, është e aftë për hedhjen e armëve taktike bërthamore, por nuk specifikoi sa raketa mund të mbajë e të lëshojë.
Zyrtarët e Koresë së Jugut shprehen skeptikë që nëndetësja mund të funksionojë siç e ka përshkruar Veriu. Sipas tyre, ka të ngjarë që ende nuk është gati për të kryer operacione. Por, zhvillimi i saj tregon si Veriu vazhdon të rrisë arsenalin bërthamor me sisteme që vështirë detektohen paraprakisht.
Bazuar në komentet e Kimit dhe fotove të publikuara nga mediat koreano-veriore, mund të jetë e njëjta nëndetëse që Kim inspektoi në vitin 2019 kur akoma po ndërtohej. Në atë kohë, ekspertët vlerësonin se ishte një përpjekje për të fshehur një nëndetëse ekzistuese.
Nëndetësja duket se ka të paktën dhjetë tuba, katër prej tyre më të mëdhenj e që mund të jenë për të lëshuar raketa. Ankit Panda, ekspert në Carnegie Endowment for International Peace:
Edhe pse shumë e modifikuar, kjo nëndetëse bazohet në teknologjinë sovjetike të viteve ‘50 e për këtë fakt do të ketë kufizime. Por, në kuptimin e ndërlikimit të sfidave me të cilat do të përballen SHBA-të dhe aleatët, nëndetësja do t’iu shërbejë qëllimeve të Koresë së Veriut.
Vitet e fundit, Koreja e Veriut ka testuar një sërë raketash të prodhuara që të lëshohen nga nëndetëse teksa shteti kërkon të zotërojë aftësi që të kryejë sulme bërthamore nga nëndetëset. Në teori, të tilla kapacitete do të rrisin aftësinë e vendit komunist për t’u hakmarrë në rast të një sulmi bërthamor nga toka.