Bota

Koreja e Veriut teston dy raketa balistike duke i treguar sërish muskujt Amerikës!

Koreja e Veriut e nisi javën duke testuar dy raketa balistike, por njëra prej tyre mund të ketë fluturuar në mënyrë jonormale, siç njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm raportoi se raketat u lëshuan në një interval prej dhjetë minutash, nga qyteti Jangjon në juglindje të Koresë së Veriut.

Ai vuri në dukje se raketa e parë fluturoi 600 kilometra dhe e dyta, 120 kilometra, por nuk tregoi se ku zbarkuan. Zakonisht, vendi komunist teston raketa drejt ujërave të tij lindorë, por distanca e fluturimit të raketës së dytë ishte shumë e shkurtër për t’i kapur ato ujëra.

Më vonë reagoi zëdhënësi i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Lee Sung Joon, i cili vuri në dukje se raketa e dytë pësoi një fluturim të mundshëm jonormal, gjatë fazës fillestare të nisjes. Testimet u bënë dy ditë pasi Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia përfunduan stërvitjet e tyre ushtarake në rajon.

Vitet e fundit, këto vende e kanë zgjeruar partneritetin trepalësh të sigurisë, për të përballuar më mirë kërcënimet bërthamore të Koresë së Veriut, e po ashtu edhe rritjen e Kinës. Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i dënoi fuqishëm stërvitjet e Jugut, SHBA-ve dhe Japonisë, duke e quajtur partneritetin e tyre “version aziatik të NATO-s”.

Ne dënojmë fuqishëm… shfaqjen provokuese të muskujve ushtarakë kundër Koresë së Veriut, tha Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, sipas njoftimit të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA. Raportet mes SHBA-ve, Japonisë e Koresë së Jugut duken si versioni aziatik i NATO. Koreja e Veriut kurrë nuk anashkalon lëvizjet e SHBA-ve dhe ndjekësve të tyre për të forcuar bllokun ushtarak.

Në stërvitjet e fundit u përfshi dhe aeroplanmbajtësja amerikane, me fuqi bërthamore, USS Theodore Roosevelt, sistemi raketor japonez, JS Atago, si dhe avionët luftarakë të Seulit të llojit KF-16. Pheniani gjithmonë reagon për stërvitje të tilla ushtarake, të cilat i cilëson si “përgatitje për pushtim”.

Seuli ka hedhur poshtë akuzat e Phenianit, duke thënë se stërvitjet e fundit ishin vazhdim i stërvitjeve mbrojtëse që mbahen rregullisht për vite të tëra nga tre aleatët.

Eshtë absurde që Koreja e Veriut, burimi kryesor i tensioneve në Gadishullin Korean, kritikon stërvitjen “Shqiponja e Lirë”, duke e cilësuar si “NATO aziatike”.