Koreja e Veriut konfirmoi se Kushtetuta e saj e ndryshuar rishtazi, për herë të parë e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik”. Kjo ndodh dy ditë pasi hodhi në erë rrugët dhe hekurudhat kufitare që dikur e lidhnin me Jugun. Këto zhvillime të njëpasnjëshme tregojnë se Koreja e Veriut e ka seriozisht përshkallëzimin e armiqësive me Korenë e Jugut, duke rritur rrezikun për përleshje të mundshme në pjesët e tensionuara kufitare.
Por, gjasat që Koreja e Veriut të hyjë në luftë janë shumë të vogla për shkak se Jugu dhe Shtetet e Bashkuara kanë ushtri shumë më të fuqishme se vendi komunist. Agjencia shtetërore e lajmeve të Veriut, KCNA raportoi:
Shkatërrimi i pjesëve veriore të rrugës ndërkoreane e lidhjeve hekurudhore ishte masë e pashmangshme dhe e ligjshme, që u ndërmor për plotësimin e rregullores së Kushtetutës së DPRK-së, që qartazi e përcakton ROK-un si shtet armiqësor.
DPRK-ja është shkurtesë për Republikën Popullore Demokratike të Koresë, emri zyrtar i Veriut, ndërsa ROK-u është shkurtesë për Republikën e Koresë, emri zyrtar i Jugut. Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut e dënoi vendimin e Veriut për ta shpallur shtet armiqësor, duke e quajtur “akt antiunifikues dhe antikombëtar”.
Qeveria e Koresë së Jugut do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut dhe do të vazhdojë të promovojë me qëndrueshmëri një unifikim paqësor të Koresë, bazuar në parimin themelor të lirisë e demokracisë.
KCNA nuk dha hollësi të mëtejshme rreth Kushtetutës së re, përveç përshkrimit të Koresë së Jugut. Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.
Në muajt e fundit, Koreja e Veriut ka shkatërruar monumente që simbolizojnë afrimin me Korenë e Jugut dhe ka shfuqizuar agjencitë shtetërore që trajtojnë marrëdhëniet ndërkoreane. Disa ekspertë thonë se Kimi ndoshta synon të mbrohet kundër ndikimit kulturor të Koresë së Jugut dhe ta forcojë sundimin dinastik të familjes së tij.
Të tjerë thonë se Kim dëshiron të krijojë hapësirë ligjore për të përdorur armët e tij bërthamore kundër Koresë së Jugut, duke e bërë atë shtet të huaj armik e jo partner. Gjithashtu shprehen se Kim mund të synojë të kërkojë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara në diplomacinë e ardhshme për programin e tij bërthamor e jo përmes Koresë së Jugut.