Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un është zotuar për thellim të raporteve me Rusinë. Kjo u theksua pas takimit që pati me shefin e sigurisë ruse, Sergei Shoigu, i cili ka qenë ministër i Mbrojtjes i Rusisë. Lajmin e dha sot media shtetërore në vendin komunist.
Siç dihet, fuqitë perëndimore e kanë akuzuar Korenë e Veriut se po i shet municione Rusisë në kundërshtim me sanksionet teksa Moska po vazhdon luftën kundër Ukrainës e që e ka nisur mbi 30 muaj më parë.
Kohët e fundit, Koreja e Veriut ka forcuar lidhjet e saj ushtarake me Rusinë. Presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilloi një vizitë të rrallë në Phenian në muajin qershor, kohë kur ai firmosi dhe një marrëveshje të përbashkët për mbrojtjen me liderin autoritar komunist.
Foto të publikuara nga media shtetërore koreano-veriore shfaqte Kimin dhe Shoigun duke u përqafuar e duke buzëqeshur pas përfundimit të takimit mes tyre. Dy zyrtarët i përshkruan bisedimet si “konstruktive” e “miqësore”.
Vendndodhja e saktë e këtij takimi nuk është zbuluar, por ekspertët dyshojnë se ata janë takuar në Pallatin Kumsusan në Phenian, ku është pritur si Putin ashtu dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping.
Ka pasur një këmbim të pikëpamjeve për thellimin e dialogut strategjik mes dy shteteve e forcimit të bashkëpunimit në mbrojtje e në interesat e përbashkëta të sigurisë, por edhe për situatën rajonale e ndërkombëtare, raportoi media shtetërore në Veri.
Po sipas raportimit të medias shtetërore, lideri Kim ka “konfirmuar se qeveria do të zgjerojë bashkëpunimin” me Rusinë, kjo bazuar dhe në marrëveshjen e nënshkruar në muajin qershor me shefin e Kremlinit, Putin.
Ndërkaq, Këshilli i Sigurisë i Rusisë njoftoi se takimi i Shoigut me Kimin do të “ketë një kontribut të rëndësishëm në zbatimin” e marrëveshjes së mbrojtjes. Shoigu u emërua në krye të Këshillit të Sigurisë pasi u largua nga posti i ministrit të Mbrojtjes në muajin maj.
Herën e fundit që ai u takua me Kimin ishte në korrik të vitit të kaluar, kur mori pjesë në Phenian në ceremonitë me rastin e 70-vjetorit të armëpushimit në luftën mes dy Koreve.