Bota

Koreja e Jugut shfaq raketën më kërcënuese për Veriun komunist!

Koreja e Jugut shfaqi raketën e saj më të fuqishme balistike dhe disa armë të tjera që synojnë Korenë e Veriut. Në ceremoninë e organizuar sot në Ditën e Forcave të Armatosura, presidenti koreano-jugor paralajmëroi regjimin e Veriut se do të bjerb nëse tenton të përdorë armë bërthamore.

Shfaqja e armëve të reja dhe paralajmërimi ndaj Koresë së Veriut erdhi pasi rivali verior i Seulit ka rritur armiqësitë rajonale, duke zbuluar një objekt për pasurimin e uraniumit, si dhe ka testuar raketa para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale amerikane në muajin nëntor. Para mijëra trupave që u mblodhën në një aeroport ushtarak pranë Seulit, presidenti Yoon Suk Yeo deklaroi:

Nëse Koreja e Veriut tenton të përdorë armë bërthamore do të përballet me një përgjigje të fuqishme nga ushtria jonë dhe nga aleanca mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të Koresë së Veriut. Regjimi i Koresë së Veriut duhet të heqë dorë nga iluzioni se armët bërthamore do t’i mbrojnë.

Gjatë ceremonisë, ushtria e Koresë së Jugut shfaqi rreth 340 pajisje ushtarake e sisteme armësh. Në mesin e tyre ishte edhe raketa e saj më e fuqishme balistike, Hyunmoo-5.

Sipas vëzhguesve është e aftë të mbajë një kokë konvencionale bërthamore prej rreth 8 tonësh e mund të depërtojë thellë në tokë, si dhe të shkatërrojë bunkerët nëntokësorë në Korenë e Veriut. Kjo është hera e parë që Koreja e Jugut ka shfaqur këtë raketë.

Amerika fluturoi bombarduesit B-1B gjatë ceremonisë, demonstrim i angazhimit të saj të sigurisë për aleaten aziatike. Edhe Koreja e Jugut fluturoi me disa nga avionët e saj më të avancuar luftarakë.

Që kur ka marrë detyrën më 2022-shin, Yoon, politikan konservator, ka lidhur aleancë më të fortë ushtarake me SHBA-të, si dhe ka përmirësuar raportet Seul-Uashington-Tokio sa i përket bashkëpunimit të sigurisë.

Muajin e kaluar, shqetësimet për programin e bombave të Koresë së Veriut u rritën edhe më shumë, pasi Pheniani publikoi foto të një ndërtese sekrete për pasurimin e uraniumit për armë bërthamore. Kjo ishte hera e parë që Veriu shfaqi pamje të tilla, pasi kishte publikuar imazhe të kompleksit kryesor bërthamor në Jongbon, në vitin 2010.