Bota

Koreja e Jugut rifillon transmetimet me altoparlant përtej kufirit/Hakmarrje për balonat me mbeturina!

Koreja e Jugut bëri të ditur se ka rinisur përhapjen e materialeve propaganduese me altoparlant kundër Koresë së Veriut, çka ndodh për herë të parë pas gjashtë vjetësh. Veprimi erdhi si një kundërpërgjigje ndaj fushatës së Phenianit, i cili ka nisur balona të mbushura me mbeturina përtej kufirit.

Më shumë se 300 balona të mëdha u regjistruan dje dhe sot në Korenë e Jugut, të mbushura me mbetje letre e plastike. Vendi komunist ende nuk ka reaguar, por përhapjen e materialeve propaganduese, Pheniani e konsideron si një akt lufte e ka bërë kërcënime të forta në të kaluarën.

Muajin e kaluar, Koreja e Veriut besohet se dërgoi të paktën 200 balona të tilla, pra po me mbeturina drejt koreano-jugorëve, si një hakmarrje për fletëpalosjet me materiale propaganduese që janë përhapur prej territorit fqinj të Koresë së Jugut.

Koreja e Jugut ka konfirmuar se në mbeturinat në balona, nuk janë gjetur materiale të rrezikshme. Në mesin e materialeve që përhapen me altoparlant në zonat kufitare përfshihen lajme prej dy rajoneve, si dhe informacione për demokracinë dhe jetën në Korenë e Jugut.

Ushtria koreano-jugore pretendon se këto transmetime mund të dëgjohen deri në 10 kilometra përtej kufirit gjatë ditës dhe deri në 24 kilometra larg gjatë natës. Dy Koretë janë ndarë prej Luftës Koreane, që ka përfunduar në vitin 1953. Ato nuk kanë nënshkruar traktat të paqes, ndaj teknikisht janë në luftë që prej atëherë.

Lideri koreano-verior, Kim Jong Un, në janar u shpreh se bashkimi me Korenë e Jugut nuk është më i mundshëm dhe shtoi se duhet ndryshuar Kushtetuta për ta shpallur “armik kryesor”, vendin fqinj. Kim ka theksuar se tri organizatat që merren me çështjen e bashkimit duhet të mbyllen, siç pati njoftuar media shtetërore KCNA.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, pati deklaruar se do të përgjigjet “disa herë më ashpër”, nëse ka provokime prej Koresë së Veriut.

Në një fjalim të mbajtur para Asamblesë Supreme Popullore, parlamenti i Koresë komuniste, Kim shprehej:

Kushtetuta duhet të ndërrohet, për t’i edukuar koreano-veriorët që Koreja e Jugut është armikja kryesore. Nëse në Gadishullin Korean shpërthen lufta, Kushtetuta duhet të reflektojë çështjen e “pushtimit” dhe “inkorporimit” të Koresë së Jugut në territorin e saj.