Kontrollet policore në vijën bregdetare të vendit, në nisje të sezonit turistik, për mungesë dokumentacioni u bllokuan pesë mjete lundruese në Vlorë e Durrës. Secili nga pronarët u gjobit me nga 10 mijë lekë nga Policia Kufitare. Po në Vlorë e Durrës, si edhe në Velipojë u bë bllokimi i katër Jet Ski-ve pas konstatimit se nuk respektuan perimetrin e sigurisë. Në këtë rast, gjoba ishte më e lartë nga 20 mijë lekë për çdo person që i ka në pronësi.
Pronarëve dhe përdoruesve të mjeteve lundruese, Policia Kufitare iu bën thirrje për respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det, si dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës.
Policia Kufitare/Njësia Policore Detare
Vijojnë intensivisht kontrollet në të gjithë vijën bregdetare, ndaj mjeteve lundruese, kryesisht ndaj atyre të argëtimit, për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe të rregullave të lundrimit.
Nga Ksamili në Velipojë janë kontrolluar 78 mjete lundruese, kryesisht Jet Ski, skafe dhe gomone. Si rezultat i kontrolleve, për mungesë dokumentacioni, në Vlorë dhe në Durrës, u bllokuan 5 mjete lundruese, si dhe u ndëshkuan pronarët e tyre, secili me masë administrative 10.000 lekë të rinj.
Ndërkohë, në kuadër të monitorimit të perimetrit të sigurisë, në Velipojë, Vlorë e në Durrës u bë bllokimi i 4 Jet Ski-ve, si dhe u ndëshkuan me masë administrative 20 000 lekë secili, pronarët e këtyre mjeteve lundruese, për mosrespektim të perimetrit të sigurisë.
Policia Kufitare apelon për pronarët dhe për përdoruesit e mjeteve lundruese, për respektimin e perimetrit të sigurisë së pushuesve në plazhe, për zbatim me korrektesë të kërkesave ligjore për daljen në det dhe për pajisjen me dokumentacionin përkatës.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë në plazhe e në këtë kuadër do të intensifikojnë kontrollet dhe monitorimin nga toka e në det, të të gjithë vijës bregdetare.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe profesional!