Ngjarja në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Fan S. Noli”, në zemër të kryeqytetit nuk ka vetëm një viktimë.
Viktimë në njëfarë mënyre është shoqëria, shkolla dhe familja thonë psikologët dhe sociologët në vend.
“Unë kam dëgjuar që një pjesë e fëmijëve shkojnë në shkollë të armatosur. Nuk është fjala për armë zjarri, por të armatosur me dorëza hekuri, thika etj, dhe për këtë nuk ka asnjë kontroll. Unë e kuptoj që kontrolli individual fizik mbase nuk është i lehtë, por ai duhet bërë. Së pari duhet bërë në aspektin e edukimit, dhe së dyti në aspektin e kontrollit.
Të dyja janë të domosdoshme, sepse fëmijët, adoleshentët janë moshë plastike, nuk janë të formuar për të marrë vendimet e duhura për sjelljet e tyre, veprojnë momentalisht dhe ta marrin jetën në çast, pa u menduar për veprimin që kryejnë. Dhe për këtë prapë ata nuk janë fajtorë, ata janë viktima, janë viktima të shoqërisë, viktima të prindërve, viktima të shkollës dhe të mësuesve të tyre”, shprehet Gëzim Tushe, Sociolog.
“Kontrollet e befasishme janë ato për të të cilat fëmijët nuk janë në dijeni kur ndërmerren në klasë apo shkollë. Këtë ka gjithë tagrin për të bërë oficeri i sigurisë së shkollës. Është në kompetencën e tij për të kontrolluar hyrjet dhe daljet në shkollë qoftë edhe mbajtjen e armëve.
Shumë prej prindërve na tregojnë raste kur fëmijët nuk janë të sigurtë nëpër shkollat e tyre, sepse shumë prej bashkëmoshatarëve të tyre shkojnë me thika, shkojnë me doreza në çantë, ndërkohë që shkolla nuk e di apo nuk është në dijeni. Por JO, kjo nuk duhet të jetë kështu. Çdo fëmijë duhet të jetë i kontrolluar dhe i survejuar brenda territorit të shkollës. Të mendojmë për pak. Një adoleshent i cili kryen vepër kriminale në adoleshencën e tij, çfarë mund të bëjë në moshë të rritur?”, shprehet për Top Channel Brunilda Laboviti, Psikologe Klinike.