Aktualitet

Kontrabandohen 15 tonë kafe, arrestohet 1 shtetas!

28 paleta me kafe, me peshë rreth 15 tonë, të dyshuara të kontrabanduara janë sekuestruar gjatë një operacioni të Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Policinë e Tiranës. Gjithashtu u arrestua një shtetas dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë, bashkëpunëtorë në transportimin dhe magazinimin e pakove të kafes. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi zyrtar i policisë: 

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave të ndryshme, arrestuan shtetasin F.K., 33 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu, po punohet për kapjen e shtetasve E.T., 30 vjeç, M.T., 33 vjeç, A.Ç., 33 vjeç, I.Ç., 35 vjeç dhe A.S., 33 vjeç.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur në doganën e Qafë Thanës, dokumentacion të falsifikuar të origjinës dhe porosisë së mallit që kanë transportuar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore, si dhe kamionin që transportonte sasinë e kafes, nuk e kanë shkarkuar në doganën e Vorës, siç kanë deklaruar në pikën e parë kufitare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A.S., në Thumanë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 28 paleta me kafe, me peshë rreth 15 tonë, të dyshuara të kontrabanduara.

Materialet i kaluan Prokurorisë.