Me autorizim të gjykatës, Policia e Tiranës ka kryer kontrolle në 30 klinika estetike në Tiranë, të cilat kontrabandonin dhe tregtonin në mënyrë të kundërligjshme, produktin mjekësor “Botulinum toxin”, i njohur ndryshe si “Botox”. Në prangat e uniformave blu ranë tre persona, të arrestuar në flagrancë. Eshtë fjala për administratorin e një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të klinikat.
Po ashtu, për dy administratore të dy prej klinikave ku injektohej ky produkt. Nisi procedimi në gjendje të lirë për gjashtë shtetase dhe në kërkim policor nga blutë e kryeqytetit janë tre persona.
Siç njofton policia, nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte, rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin” te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.
Në kuadër të operacionit të policisë të koduar “Botox”, janë arrestuar në flagrancë shtetasit M.K., Xh.M. dhe D.Sh.
Sipas policisë shtetasi M.K. është administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të klinikat. Ndërkaq, shtetaset Xh.M. dhe D.Sh. janë administratore të dy prej klinikave ku injektohej ky produkt.
Siç njoftojnë me tej blutë e Tiranës, në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset A.T., J.B., J.Z., L.C., K.B. dhe E.Sh, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S.F., K.B. dhe A.F., të gjithë administratorë klinikash estetike ku injektohej ky produkt.
Ndërkohë, sipas policisë, po punohet për kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.